Gjilani mbushet edhe me banerë në mbështetje të çlirimtarëve
Pas vendosjes së “Orës së Pritjes” në Gjilan , e cila ka nisur numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit, në pritje të drejtësisë dhe lirisë për çlirimtarët: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, disa të rinj gjilanas po vendosin edhe banerë, nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, në mbështetje të çlirimtarëve.
Endi Tahiri, nip i dëshmorit Abdullah Tahiri, ka bërë me dije për Portalin 2LONLINE, se e ka marrë një iniciativë personale për të vendosur këta banerë në qytetin e Gjilanit dhe kjo ka gjetur përkrahje edhe nga të rinj të tjerë.
“Së bashku me disa të rinj gjilanas, të cilët e kanë mbështetur këtë nismë, filluam vendosjen e banerëve në qytetin e Gjilanit dhe se do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim vendosjen edhe të banerëve tjerë”, ka thënë Erdi Tahiri. /2LONLINE/
