DYLON

Gjilani ka nevojë për një përfaqësim të guximshëm!

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Ende pa u shpërndarë parlamenti dhe pa u caktua data e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Gjilan kishte filluar të diskutohej për përfaqësimin që duhet ta ketë kjo qendër gravituese e Anamoravës në Parlamentin e Kosovës. Tashmë që shpërndarja ndodhi dhe Presidenca e caktoi ditën e zgjedhjeve me 8 qershor të këtij viti, sigurisht që këto diskutime do të intensifikohen edhe më shumë.

Në shumë nga diskutimet (të cilat kanë për qëllim matjen e disponimit) që rastisë ti dëgjoj, habitem me mënyrën se si diskutohet për këtë fazë të rëndësishme politike, nga ku edhe përcaktohen katër vitet e ardhshme të këtij regjioni.

EkoHigjiena

Habitem sa mendjelehtë që jemi!
Habitem me “guximin” që kanë!

Si është e mundur që atyre të cilëve u besoj qytetari i kësaj komune mandate me votat e tyre për të bërë diçka për Gjilanin, vijnë “fët e fët”, në mënyrë të paskrupullt kërkojnë edhe një besim tjetër me të njëjtat premtime të cilat nuk i realizuan, madje as që u munduan për t’i realizuar ndonjëherë?

Si është e mundur që askush nuk bëri asnjë bilanc për realizimin e premtimeve të kësaj “plejade” të deputetëve dhe qeveritarëve gjilanas për Komunën e Gjilanit, të cilët kësaj radhe i kishim me bollëk nga të gjitha partitë politike?

Nuk është se Gjilani nuk kishte edhe në nivelin ekzekutiv përfaqësimin e saj, madje ai ishte shumë I lartë, dhe atë që nga zv.kryeministri e nivel tjera ekzekutive.

Mirëpo nuk e patën ose guxim ose vullnetin që për hirë të misionit përfaqësues që kishin te transmetonin atë që mendonte në shumicë popullata e kësaj ane. Tradhtuan misionin për të cilin ishin deleguar nga qytetarët, pra përfaqësimin. Është një sekret publik fakti që kudo dhe kurdo që shkon në Gjilan diskutohet për faktin që kjo komunë ka mbetur anash në krahasim me komunat tjera. Ky nuk është vetëm diskutim shterpë, por për këtë tashmë flasin parametrat.

Cili pra është bilanci i këtij përfaqësimi të Komunës së Gjilanit në Parlamentin e Kosovës dhe në Qeveri për këtë komunë?

Komuna e Gjilanit dhe Anamorava është shndrruar në një hapësirë të getoizuar ku investimet kapitale dhe të rëndësisë nacionale tash e pothuajse dy dekada nuk prekën asnjë cep të saj. Në secilin qytet “të madh” që shkon në Kosovë vërehen rrugë më katër korsi, të cilat ose i’a kanë mësyrë ose tashmë kanë arritur nëpër këto qytete. Gjilani këtu bën një përjashtim!

Në anën tjetër, Komuna e Gjilanit është shndërruar në një “hambarë votash” për të gjitha partitë politike.

Është e natyrshme të trajtohet në këtë mënyrë ky regjion derisa mos të paraqiten njerëz dhe grupime të dinjitetshme që kërkojnë me ngulm atë që u takon në proporcion me kontributin që jep kjo zonë në buxhetin e Republikës. E këtu nuk është e rëndësishme partia dhe bindjet politike, por përfaqësimi i dinjitetshëm i opinionit të qytetarëve.

Prandaj, ka nevojë që përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit në Parlament të dërgohet atje nga votat e qytetarëve për të kryer punë më fisnike, më të mëdha për Kosovën dhe për zonën nga ku i ka marrë votat, e jo të merret me zgjidhjen ekskluzive të problemeve të shoqërisë se ngushtë dhe me sistemime familjare.

Shih për këtë arsye kam një lutje për të gjitha partitë politike të kësaj ane dhe për ata të cilët kanë të drejtë kushtetuese të zgjidhen dhe të zgjedhin në këtë komunë.

Aman, mos i bëni deputetë ata që i hyjnë kësaj gare vetëm sa për të marrë një page dhe pastaj të mos i dëgjohet zëri asnjëherë dhe për asnjë çështje për katër vite me radhë….

Aman, mos i bëni deputetë ata që i hyjnë kësaj gare vetëm sa për të kryer ndonjë punë të tyre private….

Aman, mos i bëni deputetë ata që nuk kanë ndonjë gjë të mirë për të treguar dhe janë të përfolur për të kaluar jo të mirë në përvojën e tyre…

Aman, mos I bëni deputetë ata që shantazhohen lehtë…
Aman, mos i bëni deputetë ata që i hyjnë kësaj gare sa për të punësuar ndonjë familjar të tyre dhe për të shpërdoruar besimin tuaj…

Aman, mos e bëni deputet profilin e atyre që Parlamentin e Kosovës e shndërruan në një ring boksi…

Aman, mos i bëni deputetë ata që shkojnë vetëm sa për të shtypur pullën që konfirmon prezencën, e sidomos jo ata që tinëzisht përvidhen në fund të seancave për të bërë këtë akt….

Aman, mos i bëni deputetë ata që gjatë një mandati nuk bën asgjë tjetër, dhe besimin tuaj e shitën për të shtruar, si për ironi, vetëm rrugët në fshatrat e tyre, në ato vende ku nuk jetohet më….

Aman, mos i bëni deputetë frikacakët që shpërdorojnë votën e qytetarit të Gjilanit duke lejuar që ti bëhet shef i “hurit dhe i konopit’….
Aman, …

/Veton NEVZADI/