Gjilani ka mbet pa zë opozitar
Shkruan: Ardian Azemi
Nuk jam më i dijshmi. As më trimi. Por, në politikë, gjithmonë më ka dallua sinqeriteti, guximi me folë dhe me qenë vetvetja, dhe këmbëngulja me e pas e me e ruajt mendimin tim.
Prej ditës kur nuk jam më pjesë e asnjë organizimi politik, Gjilani ka mbet pa zë opozitar.
Kjo është trishtuese.
Një komunë e madhe si Gjilani, me gjithë problemet që i ka, me gjithë pakënaqësitë e qytetarëve, me gjithë gjendjen që e shohim çdo ditë në rrugë, në lagje e në institucione, një zë i vetëm nuk dëgjohet. Asnjë reagim. Asnjë sinjal se dikush e do këtë qytet.
Sot ka shumëçka për të thënë për Gjilanin. Ka probleme, ka vendime që duhen kundërshtuar, ka punë që duhen kërkuar, ka qytetarë që presin përgjigje.
Por kush po flet?
Pushteti nuk mundet me qenë opozitë e vetvetes.
Është opozita ajo që duhet me e ngritë zërin. Është detyrë e saj me pyet, me kundërshtua, me kërkua llogari dhe me ua kujtua pushtetarëve se qyteti nuk është pronë e askujt.
Nuk po them se unë jam zgjidh ja. S’kam thënë kurrë. S’do them asnjëherë.
Madje, nuk është në natyrën time me folë për vete. Edhe këtë reagim nuk po e bëj për me ia ngritë vetes vlerën.
Po e bëj sepse më dhemb Gjilani.
Më dhemb kur shoh një qytet që ka nevojë për zëra të fortë, ndërsa shumë prej atyre që duhet me folë, heshtin.
Më dhemb kur problemet bëhen të zakonshme, heshtja bëhet normale dhe qytetarët mësohen me mos me pritë asgjë prej askujt.
Sot Gjilani ka pushtet. Por nuk ka opozitë.
Ka probleme. Por nuk ka reagim.
Ka pakënaqësi. Por nuk ka mjaftueshëm zëra që i artikulojnë ato.
Kur opozita hesht, pushteti rehatohet.
Unë mundem me qenë jashtë çdo organizimi politik, por nuk mundem me qenë jashtë asaj që ndodh në qytetin tim. E urrej të jem një spektator. Thjesht, s’mundem të shoh keq e të mos reagoj. Me duket sikur po bëhem bashkëfajtor. Edhe bëhesh nëse sheh keq dhe hesht.
Me heshtë kur e sheh se diçka nuk shkon, vetëm pse nuk je më pjesë e një partie, për mua nuk është neutralitet.
Është dorëzim.
E unë nuk kam ndërmend me u dorëzu prej të drejtës me folë.
Jo për karrige.
Jo për post.
Jo për parti.
Për Gjilanin. Edhe për Kosovën. Aq sa di, aq sa mundem. /2LONLINE/
