Gjilani ka marrëdhënie të shkëlqyera me ndërkombëtarët

Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare thuhet të jetë në nivelin e kënaqshëm. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, se përgjithësisht Komuna që ai udhëheq ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me përfaqësimet ndërkombëtare, jo vetëm në komunë, por edhe në nivel të Kosovës.

“Absolutisht kemi marrëdhënie të mira dhe krenohemi me kooperimin që kemi dhe që ka dhënë rezultate jashtëzakonisht të frytshme”, tha kryetari Qemajl Mustafa.

Ai shtoi më tej se me KFOR-in amerikan në mënyrë të veçantë, për shkak të ruajtjes së kontinuitetit që nga viti 1999 të prezencës së këtij kontingjenti të ushtarëve amerikan.

Sipas tij amerikanët janë përgjegjësit kryesor për sigurinë sidomos për rreth kufirit dhe brenda territorit të Kosovës gjegjësisht rajonit të lindjes.

“Ne kemi pasur deri në vitin e kaluar takime të rregullta javore, ndërsa tash i kemi rralluar dhe i bëjmë sipas kërkesës dhe nevojave. Kemi takime edhe joformale dhe me KFOR-in amerikan tashmë kemi miqësi dhe takohemi edhe në qytet e fshatra ku bisedohen çështje të ndryshme”, tha kryetari Mustafa.

Ai tha se KFOR-i amerikan, ka bërë punë të shkëlqyer në ndërmjetësimin në mes komuniteteve kur ata ishin të pakënaqur me pagesën e rrymës, integrimin në institucione, problemet me disa kompani të thyerjes së gurëve dhe janë stabilizuar këto tre probleme.

“Që nga viti 1999 KFOR-i amerikan, ka qenë njëri prej komponentëve më kontribut dhënëse në relaksimin e raporteve në mes të shumicës shqiptare, institucioneve të Kosovës dhe pakicës serbe. E them se pa kontributin e institucioneve ndërkombëtare KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së nuk ka mundur Kosova të arrij rezultate”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij pos ruajtjes së sigurisë në rajonin e lindjes, KFOR-i amerikan ka dhënë kontribut të shumëfishtë edhe në projekte civile me realizimin e projekteve. Shumë projekte janë realizuar edhe me Trupat e Mbrojtjes së Kosovës për një kohë të gjatë.

Ata kanë ndihmuar në ndërtimin e shkollave, ambulancave, ujësjellësit, kanalizimit. Po ashtu KFOR-i amerikan, është marr edhe me edukim, ngritjen e kapaciteteve në sistemin shkollor, preventivën e dukurive negative si AIDS-i, droga, huliganizmi e tjera.

KFOR-i amerikan, ka ndihmuar edhe rastet sociale me ndihma të ndryshme. Ata kanë ndihmuar edhe nxënësit e familjeve me nevojë me gjëra shkollore. Ata kanë ndihmuar edhe në sigurinë në komunikacion, në fushën e bujqësisë.

Kreu komunal Qemajl Mustafa, tha se roli i KFOR-it amerikan është shumë i dobishëm jo vetëm për Komunën tonë, por edhe për tërë rajonin e lindjes saqë nuk mund të përshkruhet me pak fjalë. /Besim Toska/

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0