(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Zhvillimit Ekonomik kanë pritur në takim ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, i shoqëruar edhe më përfaqësues të bizneseve nga Kroacia, kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit të bizneseve nga dy shtetet, duke thënë se prodhimi në Gjilan ka kapacitete të prodhimit në disa fusha edhe për eksportim të mjaftueshëm të prodhimeve.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se vizita e ambasadorit dhe e përfaqësuesve të biznesit Kroat mundësojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e këmbimit të prodhimeve, e që ndikon në të njëjtën kohë edhe në zhvillimin e prodhuesve në këtë rast në Republikën e Kosovës dhe në zgjerimin e tregut të Kosovës në shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Ndjehem i nderuar që sot kemi në një vizitë ambasadorin e Kroacisë në Komunën e Gjilanit. Ambasadori Vodopija me delegacionin e ambasadës dhe përfaqësuesit e biznesit kanë vizituar po ashtu edhe tri ndërmarrje të suksesshme si Fabrikën e Duhanit, fabrikën e Radiatorëve dhe Fabrikën e konstruksioneve metalike Çeliku, ndërsa tani do të vizitojmë edhe Ndërmarrjen Ask Food. Pjesë e këtij angazhimi është që të ndihmohen prodhuesit e Gjilanit që të dalin në tregun Europian. Është në interesin tonë që dera e shtetit Kroat me qenë e hapur për ndërmarrësit dhe prodhuesit tonë. Po ashtu kemi biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit të Komunës së Gjilanit dhe një Komune në Kroaci, që do të jetë ndihëm në partneritet, dhe natyrisht të kemi një partneritet që është i ngjashëm me Komunën e Gjilanit, për të marrë përvojat e tyre, se si i kanë sfiduar problemet urbane, se si i kanë zgjedhur problemet e Kadastrit, problemet e zhvillimit lokal ekonomik dhe agjendat zhvillimore të cilat Kroacia tashmë i ka kaluar. Ngjashmëria jonë është e madhe, sepse edhe ata kanë kaluar traumat e një lufte të madhe dhe një tranzicion deri në pavarësi”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tij Ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, ka thënë se sot në Gjilan ka vizituar Fabrika të suksesshme siç është Fabrika e Duhanit, Radiatorëve, konstruksioneve metalike dhe prodhimeve të produkteve bujqësore, e që bashkëpunimi në sektorin ekonomik do të ndikoj fuqishëm në bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy komuniteteve të biznesit nga dy shtetet tona.
“Jam i befasuar me potencialin që ka prodhimi në këto Fabrika të vizituara në Gjilan. Bashkëpunimi mes biznesit të Gjilanit dhe atij Kroat është shumë i nevojshëm, sepse mundësohet të mbulohet deficitin, në kuptimin që ka disproporcioni që ka eksporti i Kosovës me Kroacinë për ti ndihmuar dhe për të parë bashkëpunimin mes Kroacisë dhe Kosovës e në këtë rast mes Gjilanit dhe mundësisë së gjetjes së një Komune të ngjashme me Komunën e Gjilanit për t’u binjakëzuar e që më vonë të merren përvojat e Kroacisë dhe implementimin e tyre në jetën e zhvillimit të Gjilanit. Kapacitetet e prodhimit në Gjilan janë një mundësi shumë e mirë për eksportim në Kroaci. Bashkëpunimi i Kosovës dhe Kroacisë është edhe në nevojat e dy vendeve në sektorin e ushqimit”, ka thënë Ambasadori Kroat Vodopija.
Në emër të fabrikës së Radiatorëve Enrad, ka folur drejtori Mejdi Rexhepi, i cili ka thënë se vizita të tilla mundësojnë thellimin e bashkëpunimit të bizneseve të Kosovës me bizneset ndërshtetërore, në këtë rast me bizneset në Kroaci, ndërsa institucionet janë një urë lidhëse në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Sot në vizitë në fabrikën e radiatorëve Enrad, kishim ambasadorin e Republikës së Kroacisë në Kosovë, të cilin e kemi informuar me kapacitetet prodhuese, por edhe me tregun e deritanishëm dhe me pretendimet tona për zgjerim edhe më të madh. Fabrika jonë ka bashkëpunim me bizneset në Kroaci, por ky bashkëpunim mund të rritet edhe më shumë përmes vizitave dhe informimit për produktet dhe kërkesat që ne mund ti përmbushim, apo që prodhuesit në Kosovë e veçanërisht në Gjilan mund ti përmbushin për kërkesa të ndryshme dhe për shtete të ndryshme”, ka thënë drejtori Rexhepi.
Ndërsa, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ismail Januzi, ka thënë se në këtë rast Institucionet janë një urë lidhëse për zhvillimin e bizneseve dhe krijimin e urave lidhëse edhe jashtë kufijve të shtetit, në rajon dhe më gjerë./2L ONLINE/