Gjilani i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani

Gjilani i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani

Gjilani i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Kuvendi Komunal i këtushëm është mbledhur të premten paradite për të marrë këtë vendim, me iniciativë të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri.

Ky titull, Presidentit Bujar Nishani iu nda me motivacion për kontributin e çmueshëm që ka dhënë në shtet-ndërtimin e Kosovës, në lobimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shtetet tjera, sikurse edhe për mbështetjen e fuqishme për Gjilanin dhe Kosovën Lindore.

Në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal, ku presidentit Bujar Nishani, i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi”, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është hera e parë në historikun e qytetit të Gjilanit, që një president i Republikës së Shqipërisë vjen në tokën e vetë, në vendin e vet dhe prej sot e tutje, edhe në qytetin e vetë dhe në shtëpinë e vetë.

“Me këtë vizitë, ju nderoni punën e madhe që këta njerëz dhe këta qytetarë bëjnë në vendin e tyre. Gjilani, po aq sa është paqësor dhe punëtor, në kushte paqe, po aq është edhe kryengritës dhe rezistues, në kushtet kur e kërkojnë nevojat e kombit”, thënë Haziri.

Ai ka thënë se Gjilani sivjet shënon 170-vjetorin e lindjes dhe 90-vjetorin e vdekjes së kryetrimit të Karadakut, Idriz Seferi.

“Me rezistencë të armatosur, Idriz Seferi çliroi gjysmën e Kosovës dhe Shkupin, për të realizuar aspiratën politike dhe kombëtare të kohës, në kushtet më të rënda për shqiptarët, aspiratë kjo që vazhdoi me kryengritësit tjerë, Mulla Idriz Gjilanin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, deri te kreshniku tjetër i Karadakut, Agim Ramadani, i cili në Junik, në kufirin tjetër, shkuli gurin që ndante shqiptarët”.

Më tutje Haziri ka thënë se këta kryengritës janë një mësim për ne të gjallët se si luftohet padrejtësia, sikurse na kanë lënë amanetin që këtë vend duhet bashkuar deri në pikën e fundit, në mënyrë që të jetojmë të barabartë dhe të integruar në kontinentin më të vjetër dhe më të civilizuar të botës së sotme.

Duke falënderuar presidentin Nishani, Haziri tha se me këtë vizitën në Gjilan, ju keni nderuar familje dhe kryengritës së kësaj ane dhe i kemi dhënë Gjilanit nderin dhe respektin e shtetit dhe të kombit.

Ndërkaq, presidenti Bujar Nishani, pasi është falënderuar për pritjen, për respektin dhe për vlerësimin që i bëri Gjilani, ka thënë se ky do të jetë një moment i veçantë në jetën e tij.

“Gjithë jetën time, do ta them me shumë krenari, kudo që të jem, që unë jam nderuar nga Gjilani dhe do ta them me mburrje se unë jam vlerësuar nga populli i Gjilanit dhe nga përfaqësuesit e popullit të Gjilanit. Ndjehem dyfish i vlerësuar, sepse jo vetëm që po nderohem nga një komunitet i këtillë, që e di shumë mirë si i merr vendimet, pse i merr vendimet dhe për çfarë i merr vendimet, por edhe nga ana tjetër, sepse po bëhem pjesë e vlerësimit të një komuniteti që trashëgon një histori të madhe”.

Presidenti ka rikujtuar në mënyrë të veçantë sakrificën e kryengritësve të kësaj ane.

“Ne, të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojmë, po bëhemi gjithnjë e më shumë të ndërgjegjshëm dhe po e kuptojmë gjithmonë e më shumë përmasën e historisë tonë kombëtare. E, nëse Vlora është kryeqendra e fillimit të ndërtimit të shtetit zyrtar shqiptar, që fati e deshi të jetë ashtu, ai ishte një kulminacion të cilin e arritën shqiptarët përmes disa shekujve përpjekje dhe me sakrifica të jashtëzakonshme, që bazën kryesore e kanë pikërisht këtu në trevat e Kosovës, në kryengritjet dhe rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, për ruajtje të identitetit kombëtar. Dhe ne shqiptarët duhet t`ua dimë për nder kryengritësve të kësaj treve, familjeve të këtushme të mëdha, burrave të kësaj ane, që e bënë të mundur ekzistimin e, të paktën, një shteti shqiptar”, ka thënë Nishani.

Për më tepër, presidenti Nishani ka nënvizuar faktin se në këto toka dhe këtu në Gjilan, nuk ka pasur vetëm rezistencë përmes luftës, por ka pasur edhe një adresim të jashtëzakonshëm të vendimit shqiptar, të civilizimit, të kulturës dhe të emancipimit, elementë këta tek të cilët qëndron bazamenti i emancipimit të çdo kombi dhe të çdo populli.

Pa këto përmasa, çdo komb do ta ketë të vështirë ta ruaj ekzistencën e tij dhe të realizoj prosperitetin e vetë, ka thënë ai.

“Gjilani dhe gjilanasit kanë ditur t`ia japin këto vlera jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë botës shqiptare dhe nga kjo kanë përfituar, për fatin e mirë, edhe hapësirat e rajonit, të cilat ne i ndajmë me popujt dhe vendet tjera”.

Nishani dhe se ajo që është arritur në Kosovë, edhe këtu në Gjilan, është një vlerë që duhet njohur, duhet nderuar dhe duhet respektuar.

Në mënyrë të veçantë, presidenti Nishani ka falënderuar kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri, për, siç ka thënë ai, lidershipin e tij shumë të veçantë, për vizionin e një burrështetasi, për kulturën politike.

Përndryshe, Bujar Nishani, është presidenti i parë që i ndahet titulli “Qytetar Nderi” i Gjilanit.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se Presidentit Bujar Nishani po nderohet nga Gjilani për kontributin që ka dhënë për Kosovën, sikurse edhe për mbështetjen e fuqishme për Gjilanin dhe Kosovën Lindore. Ajo tha se Kuvendi e ka marrë në mënyrë unanime këtë vendim për njeriun e kombit.

KOMENTE