/2L ONLINE/ – Pikërisht më 28 Nëntor, Komuna e Gjilanit në krye me Lutfi Hazirin kanë inauguruar Muzeun e Qytetit. Në ceremoninë e inaugurimit, pos kryetarit Haziri dhe bashkëpunëtorëve, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore si dhe artdashës të shumtë.
“Kjo shtëpi do t’i grumbullojë artefaktet dhe gjithçka që lidhet me historinë dhe me trashëgiminë që Gjilanit dhe që regjioni e ka. Ne jemi një thesar arkeologjik i pazbuluar dhe duhet të punojmë shumë që të zbardhet historia jonë e çmuar. Ky 28 Nëntor dhe ky Muze i Qytetit dhe i regjionit, tashmë ruhet nga zyrtarët e qendrës së trashëgimisë regjionale”, tha me këtë rast kryetari Lutfi Haziri.
Ai premtori se në vitin e ardhshëm Gjilani do t’i ketë tri kinema dhe galerinë e qytetit në vendet e merituara.
“Gjilani e ka pasë mungesë muzeun, sikurse edhe kinemanë që është duke u ndërtuar. Gjilani do t’i ketë 3 kinema, të cilat planifikohen të ndërtohen në vitin e ardhshëm. Poashtu, ne po punojmë që ta gjejmë vendin adekuat për një galeri të qytetit, që të rrumbullakësohen ato shtëpi të kulturës, dijes dhe të trashëgimisë që çdo qytet duhet t’i ketë”, u shpreh Haziri.
Fjalë rasti në këtë ngjarje pati edhe drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulutore, Vjollca Aliu dhe drejtori i Muzeut Rajonal, Artan Hoxha, të cilët falënderuan kryetarin Haziri i cili ish-zyrën e kryetarit ia dhuroi Muzeut të Qytetit. /2L ONLINE/