/2L ONLINE/ – Stacioni Policor në Gjilan, për herë të parë që nga themelimi, ka bërë sot publik raportin e punës për vitin 2015, në sallën e teatrit të qytetit, ku ka marrë pjesë komandanti i stacionit policor në Gjilan, major Remzi Azemi, drejtoresha rajonale e policisë, kolonel Elmina Mahmuti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore dhe qytetarë të interesuar.
Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, major Remzi Azemi, në adresimin para të pranishmëve tha se këtë hap e ka marrë për të qenë sa më transparent për publikun, për fitimin e mëtutjeshëm të besimit qytetarë në organet e rendit, si dhe në vazhdimin dhe rritjen e mëtutjeshëm të bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Ai ka vlerësuar punën e bërë përgjatë vitit 2015 duke potencuar se brenda kësaj periudhe nuk kemi pas asnjë incident kriminal me humbje jete sikurse që nuk kemi pas asnjë incident as të karakterit ndëretnik. Madje as rastet e raportuara nga vet komuniteti pakicë nuk ka qenë e natyrës ndëretnike.
“Publikimin e raportit të punës po e bëjmë për herë të parë për të qenë sa më transparent ndaj publikut. Viti 2015, punën e stacionit policor në Gjilan e karakterizon me një përkushtim, profesionalizëm dhe sukses të jashtëzakonshëm, pasi 77 për qind e rasteve janë zbuluar ose 13 për qind më shumë se në vitin 2014. Marrë në përgjithësi, mund të them se kemi arritur t’i përmbushin me përpikëri objektivat e përcaktuara”, ka thënë Azemi, duke shtuar se asnjë incident nuk është shënuar me motive ndërfetare dhe ndëretnike.
Azemi ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë që e ka pasur në të mirë të sigurisë në Gjilan, sikurse edhe prokurorinë, gjykatën dhe qytetarët dhe ka kërkuar ndihmën e institucioneve në realizimin e projektit të instalimit të kamerave të sigurisë në pjesë të caktuar të qytetit.
Ndërsa, drejtoresha Rajonale e Policisë në Gjilan, Elmina Mahmuti, theksoi se ndihet mirë me rezultatet e mira të stacionit policor, duke thënë se raportimi sikur i sotshëm duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se Gjilanin, ky janar i vitit 2016 e bënë unik dhe e veçon edhe për prezantimin e raportit vjetor të policisë për herë të parë para publikut, sikur që e veçon Gjilanin edhe me manifestimet kulturore. “Këto ditë kemi thënë se jemi bërë kryeqytet kulturor i shqiptarëve në Ballkan, por sot duhet ta vendosim në kalendar këtë të premte të shenjtë si ditë kur Policia e Gjilanit ka vendosur një standard në policinë e shtetit dhe atë në rajon mbi raportimin dhe komunikimin drejtpërdrejt me qytetarët”.
“Ky standard i ri e veçon Gjilanin për shkak të kushteve të sigurisë dhe punës së palodhshme të policisë, të cilët veprojnë, ballafaqohen dhe ndërhyjnë edhe me mjete të fundit në parandalimin dhe ruajtjen e jetës, pronës dhe pasurisë së qytetarëve. Gjilani është qyteti i vetëm, i cili për nuk ka vrasje fatale dhe krimi si i tillë nuk njihet në këtë komunë qe 2 vite. E falënderoj publikisht policinë, prokurorët dhe gjyqtarët për punën e madhe. Nëse ishim matë në parametra të standareve të BE-së, Gjilani do ta merrte liberalizimin dhe do të ishte afër BE-së para shumë kohësh”, u shpreh tutje Haziri.
Krejt në fund, kryetari Haziri tha se propozimet e eprorëve të policisë për përmirësimin e kushteve në infrastrukturë-komunikacion, do të merren parasysh dhe do të bëjë investime të drejtpërdrejta. /2L ONLINE/