Gjilani i paradokseve: Në pikë të ditës, dritat ndezë!
/2L ONLINE/ – Derisa ka lokalitete në Komunën e Gjilanit që janë ankuar dhe ankohen edhe sot për mungesë apo mosfunkionalizim të ndriçimit publik, ka edhe e pjesë të Gjilanit kur dritat-poçet elektrike, nëpër shtyllat e ndriçimit publik, rrinë ndezur edhe në pikë të ditës. Bile, ka raste kur kjo ndodh edhe në ato pjesë që pothuajse janë mu në qendër të qytetit të Gjilanit.
KEDS-i, si duket po tregohet se është në gjendje dhe e aftë të furnizojë vendet publike me ndriçim edhe përgjatë ditës, e në anën tjetër komuna sigurisht do të tregohet e gatshme për me i shlye pastaj obligimet për rrymën e konsumuar.
Këto foto që shihen në këtë shkrim, të bëra nga 2L ONLINE, janë shkrepur në pikë të ditës, në rrugën “Mulla Idrizi” (kah stacioni policor) ku pothuajse shtyllat elektrike në radhë po ndriçojnë kot së koti, e përveç që kjo shkakton revoltë tek qytetarët që i shohin, kjo nuk po ua vret sytë askujt tjetër, as atyre që duhet parë dhe nuk duhet lejuar të shpërdorohet energjia elektrike duke mbajtur të ndezur ndriçuesit publik, e as atyre që e dinë se ndriçimi i rrugëve ka kosto të konsiderueshëm dhe ajo paguhet nga parat e tatimpaguesve.
Sido që të jetë, për qytetarët e asaj ane, së paku kjo u shërbeu për të liruar energjinë negative brenda tyre duke u shfryrë në të shara, e ka të tillë që vlerësojnë, siç shprehen ata, se në Gjilan, përveç politikanëve kontrovers, janë kontrovers edhe strukturat teknike të KED-sit, pasi natën në Gjilan mbretëron vende-vende gjysmë-errësirë, kurse në mesditë poçet elektrike rrin të ndezur!!!
Populli thotë: ”Vakti e han kashtën” /2L ONLINE/




