Gjilani hyn në fazën e Shikimit Publik të Rindërtimit Kadastral
Komuna e Gjilanit ka hyrë në fazën e Shikimit Publik të projektit të Rindërtimit të Kadastrit (RIK), pas disa muajsh pune intensive për përditësimin dhe saktësimin e të dhënave kadastrale.
Drejtoresha e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, ka bërë të ditur se qytetarët tash kanë mundësi t’i shohin dhe verifikojnë të dhënat e pronave të tyre për të cilat kanë aplikuar, si dhe të kërkojnë korrigjimin e pasaktësive eventuale.
“Që nga marsi i këtij viti, në Gjilan është punuar intensivisht në projektin e Rindërtimit të Kadastrit (RIK), nismë tejet e rëndësishme për përditësimin dhe saktësimin e të dhënave kadastrale”, ka deklaruar Rashiti.
Ajo ka vlerësuar përparimin e arritur në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët.
“Jam e lumtur të shoh se puna e bërë deri tani po e çon përpara këtë proces të rëndësishëm për komunën. Por, po aq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me banorët e zonave”, ka thënë drejtoresha Rashiti.
Në këtë kuadër, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë fazën e Shikimit Publik për të verifikuar të dhënat e pronave të tyre, ndërsa ka vënë theks të veçantë te gratë, të cilat duhet të sigurohen që të drejtat e tyre nga trashëgimia dhe bashkëpronësia të jenë të evidentuara drejt.
Shikimi Publik zhvillohet nga 2 tetori deri më 30 nëntor 2026, ndërsa shërbimet për këtë proces kryhen pa pagesë. /2LONLINE/
