DYLON

Gjilani forcon masat parandaluese kundër fruthit, prioritet mbrojtja e shëndetit të fëmijëve

Gjilani forcon masat parandaluese kundër fruthit, prioritet mbrojtja e shëndetit të fëmijëve
Redaksia

Me qëllim të vlerësimit të situatës epidemiologjike dhe koordinimit të masave për parandalimin e përhapjes së fruthit, u mbajt një takim pune ndërmjet Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit, Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, menaxhmentit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe shefit të vaksinimit në QKMF.

Nga drejtues të të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan u prezantua situata aktuale, duke theksuar se gjendja epidemiologjike lidhur me fruthin te fëmijët paraqet shqetësim serioz në nivel vendi, si dhe në Komunën e Gjilanit, ku, pavarësisht se rastet mbeten të izoluara, nevojitet vigjilencë e shtuar dhe veprim i koordinuar institucional.

EkoHigjiena

Duke marrë parasysh rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundjeje infektive dhe ndërlikimet potencialisht serioze që mund të shkaktojë, pjesëmarrësit u dakorduan për hartimin dhe zbatimin e një plani strategjik të veprimit, i cili do të përcaktojë masat konkrete për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim, intensifikimin e aktiviteteve informuese dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Prioritet i institucioneve shëndetësore mbetet parandalimi i përhapjes së fruthit dhe sigurimi i mbrojtjes shëndetësore për çdo fëmijë. Në këtë drejtim, vaksinimi përbën masën kryesore parandaluese, ndërsa informimi i drejtë i prindërve dhe qasja në kohë në shërbimet e vaksinimit janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik.

‘Apelojmë te të gjithë prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, në rast të vaksinimit të paplotë, të kontaktojnë shërbimet përkatëse të vaksinimit në QKMF dhe QMF-të e Komunës së Gjilanit. Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur përballë një sëmundjeje që mund të parandalohet përmes vaksinimit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan.

Nga drejtori është thënë se në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe partnerët relevantë, do të vazhdojë të angazhohet për ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.