(2L ONLINE) – Futbollistëve të Gjilanit nuk iu është dashur të mundohen fortë për ta fituar ndeshjen ndaj Ballkanit pasi këta të fundit nuk ka udhëtuar për ta zhvilluar ndeshjen e javës së 11-të, në Ligën e Parë të Futbollit në Kosovë ndaj edhe pritet të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0, në favor të gjilanasve.
Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit nuk është zhvilluar. Kjo për faktin se skuadra nga Suhareka nuk ka udhëtuar fare për tu përballur me Gjilanin ani pse këta të fundit kishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ndeshje.
I kontaktuar nga Portali ‘’2L ONLINE’’, drejtori sportiv i gjilanasve, Agron Korça u shpreh: ‘’Ne si organizator i ndeshjes kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura duke nisur nga pagesat për zyrtarët e Federatës e deri te sigurimi i ndeshjes, prezent ishin edhe autoambulanca si dhe Policia e Kosovës. Tani u mbetet organeve kompetente për ta marrë vendimin’’.
Mësohet se futbollistët e Ballkanit kishin paralajmëruar se nuk do të udhëtojnë në Gjilan në rast se kryesia nuk ua kryen obligimet financiare që kanë ndaj tyre.
Si do që të jetë trajneri i Gjilanit, Musa Selimi shfrytëzoi këtë mos udhëtim për të kryer një tjetër seancë stërvitore para një dueli mjaft me rëndësi që i pret në fundjavën e ardhshme me ç’rast gjilanasit udhëtojnë në Prishtinë për tu përballur me Flamurtarin.
Përshkrimi i vëzhguesit
Në portokollin zyrtar të ndeshjes që ka siguruar ‘’2L ONLINE’’ vëzhguesi i saj Ali Ajeti ka bërë përshkrimin më detaj duke shkruar:
‘’Edhe pas pritjes më se 30 minutave, unë vëzhguesi, referat si dhe kontrolla e ndeshjes, mysafirët nuk u paraqitën në fushë. Skuadra vendase i kishte bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshje. Prezent ishin edhe autoambulanca si dhe Policia e Kosovës’’, ishte përshkrimi i Ajetit në protokollin zyrtar që së bashku me raportin plotësues do të dorëzohen brenda 24 orëve zyrtarëve të Federatës.
Në bazë të rregullores skuadrës së Gjilanit do ti takojë ndeshja me rezultat zyrtar 3:0 dhe ti arkëtojë pikët e radhës. Në këtë rast Gjilani do ti tubojë 25 pikë dhe do të qëndroj prapa liderit Llapit me një pikë më pak.
Kjo ishte lista e të ftuarve të Musa Selimi për këtë ndeshje:
Maloku, Hyseni, Kastrati, Emini, Maliqi, Mustafa, Shaqiri, Morina, Sermaxhaj, Jashari, Blakçorri, Ajdini, Arifi, Ferati, Ibërdemaj, Marovci, Ramadani, Xhymshiti.
Personat e deleguar për këtë ndeshje
Visar Kastrari gjyqtar i parë, Nuhi Hysenaj dhe Qëndrim Vata asistent, Ali Ajeti vëzhgues, Musa Gashi kontrollor.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/