DYLON

Gjilani është komunë që inkurajon kulturën e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Rregullorja komunale për menaxhimin e mbeturinave, bashkë me planin e veprimit për vitet 2016-2020 si dhe rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, i janë nënshtruar të martën një dëgjimi publik, ku qytetarët dhe shoqëria civile kanë paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, para se se këto dy akte komunale të procedohen për miratim në Kuvend Komunal.

Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se për herë të parë, menaxhimi i mbeturinave kalon në kompetencë të komunave dhe më tutje ka bërë një prezantim të pikave kryesore të projekt-rregullores.

EkoHigjiena

Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike, tha se komisioni ka punuar një kohë të gjatë në hartimin e planit dhe të rregullores për menaxhimin e mbeturinave, ku kontribut të madh ka dhënë sidomos GIZ-i gjerman.

Pjesë e këtij plani do të jetë edhe vetëdijesimi i qytetarëve përmes fushatave të ndryshme.

Fadil Osmani, anëtar i grupit të punës për hartimin e planit për menaxhimin e mbeturinave, ka theksuar se Gjilani është komunë që inkurajon kulturën e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, përmes standardeve më të larta të menaxhimit të mbeturinave dhe që krijon partneritet të suksesshëm me rininë, familjet dhe bizneset, me qëllim reduktimi, përkatësisht riciklimi të mbeturinave.

Sipas tij, ky plan i ka 90 veprime konkrete, që parashihet të realizohen deri në vitin 2020. Synim yni është arritja e standardeve evropiane edhe në këtë sektor, ka thënë ai.

Siç u tha në debat, edhe 28 fshatra në komunën e Gjilanit, nuk janë të përfshira ende në shërbimet e grumbullimit të mbeturinave.

Ndërkaq sa i përket rregullores për këshillat lokale, Hevzi Matoshi ka thënë se bëhet fjalë për një përmirësim të disa dispozitave të rregullores ekzistuese, që ka të bëjë kryesisht me përfaqësimin gjinor dhe të tjera.

Avdyl Aliu, kryetar i komisionit për themelimin e këshillave lokale, ka thënë se deri më tani ky proces është kryer në 80 për qind të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.

Përmes kësaj rregulloreje korigjohet përfaqësimi gjinor, nga 30 për qind, sa ka qenë deri tani, në 40 për qind, ndërkaq sa i përket pagesës së anëtarëve, duhet të pritet që çështja e kompensimit të rregullohet në nivel qendror.

Shahadije Rexhepi nga shoqata “Agro-eko” tha se përmirësimi i përfaqësimit gjinor në Këshilla lokalë është kërkuar nga prej tyre.

Përmes pyetjeve, vërejtjeve e sugjerimeve të ndryshme, kontributet e tyre, qoftë për njërën apo rregulloren tjetër, i kanë dhënë edhe Xhelil Sahiti, Shaban Terziu, Gerhard Dummer (Ecohigjiena), Muhadin Haziri, Avdyl Aliu, Fadil Gashi, Shahadije Rexhepi, Shemsedin Elezi dhe të tjerë. /2L ONLINE/