Gjilani është gati ta mirëpret rivalin lokal Dritën
Java e 8-të e Superligës së Kosovës në futboll sjell derbin SC Gjilani – FC Drita.
Skuadra e Gjilanit, pas largimit të kryetrajnerit Ardian Nuhiu, për momentin drejtohet nga Orhan Abdi, përgatitësi atletik, i cili ishte pjesë e stafit të kryetrajnerit Ardian Nuhiu.
Skuadra “kuq e bardh”, ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në prag të këtij dueli kampional, e cila seancë stërvitore u karakterizua me atmosferë pune, përkushtim dhe fokus të plotë për ballafaqimin e ditës së hënë.
Orhan Abdi së bashku me pjesën tjetër të stafit u përqendruan në harmonizimin e skuadrës.
Për këtë përballje jashtë fushave të blerta mbeten Oltion Bilalli, Shqiprim Taipi dhe Robert Rrahmani, të cilët nuk do të jenë të gatshëm për shkak të lëndimeve, derisa lajme të mira vijnë për futbollistët Armend Thaqi dhe Senad Jarovic, të cilët do të të jenë në maksimumin e tyre.
Futbollistët e SC Gjilanit presin tifozët të jenë afër skuadrës dhe të tregojnë përkrahjen e tyre në mënyrë sportive, duke kontribuar për një atmosferë të denjë për këtë ngjarje të madhe sportive.
SC Gjilani mbetet e përkushtuar për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të arritur një rezultat pozitiv në këtë përballje të rëndësishme të kampionatit. /2LONLINE/
