Që nga paslufta Gjilani asnjëherë nuk pati një trajtim “fer” nga asnjë prej qeverive tona, që nga e para deri te e fundit. U la anash si mos më keq, sikur të mos ishte fare pjesë e Kosovës.
Shkruan: Gëzim Rrustemi – 2LONLINE.com
Përpos që u anashkalua, komuna jonë u përdorë edhe si hambar i madh votash duke u gënjyer vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhjeje përmes premtimeve të rrejshme.
Sikur të mos mjaftonin tërë këto, komuna jonë edhe u ndëshkua dhe po ndëshkohet në vazhdimësi nga pushteti qendror, siç është rasti i ndërprerjes së autostradës Prishtinë- Dheu i Bardhë, pastaj vënia në orë policore e komunës tonë edhe për faktin se kishte fare pak raste me Covid 19, gjë e cila bëri që të mbylljen të gjitha bizneset e vogla dhe tërë shërbimet e gastronomisë duke e dërguar komunën tonë buzë falimentimit. Mos ta harrojmë edhe anulimin e impiantit të ujërave të zeza, e shumë e shumë të tjera.
Shtroj pyetjen: Qeveria e Kosovës (prej asaj të parës deri te kjo e fundit) a e konsideron edhe Gjilanin si pjesë të Kosovës? Nëse po, atëherë çka nuk është në rregull? A keni ndonjë urrejtje ndaj nesh apo po e keqpërdorni faktin që ne gjilanasit kemi qëlluar të kulturuar dhe nuk bëjmë telashe.
Sido që të jetë, nuk keni faj ju. Fajin e ka qytetari i Gjilanit që i jep votë ” t’hunit e t’konopit”, fajin e ka qytetari i Anamoravës që s’e bëri dot partinë e vet, por turret pas partisë së “Drenicës”, “Dukagjinit”, “Llapit” e “Llaushës”, parti të cilat i sollën Gjilanit vetëm të këqija dhe asnjë të mirë, i sollën vetëm telashe, vuajtje, varfëri, zhgënjim e zbrazje.
Andaj ju them: zgjohuni o ju politikanë të Anamoravës, zgjohuni o ju votues. Zgjohuni e kërkoni përgjegjësi prej politikanëve dhe prej partive! Zgjohuni se shkuam poshtë! Zgjohuni se edhe ashtu jemi vonë shumë!
/autori është përfaqësues i Lëvizjes Qytetare Vatra/