Gjilani e vazhdon nismën e mbarë në këtë edicion, fiton edhe ndaj Llapit
Shorti në këtë edicion ia kishte rezervuar skuadrës së Gjilanit, dy duelet e para si mysafire, por se skuadra “kuq e bardh”, duke se e ka nisur përnjëmend këtë edicion, me synimet, që i ka bërë të qarta, andaj edhe e motivuar drejt këtij rrugëtimi, i ka përfunduar këto dy ballafaqime me fitore, transmeton Portali 2LONLINE.
Pasi në xhiron e parë mundi Feronikelin ’74, (1:3) sot “viktima” e radhës ishte skuadra e Llapit.
Skuadra gjilanase shënoi fitore ndaj skuadrës llapjanë me rezultat 2:0, me golat që i shënoi Oltion Bilalli, të realizuara në pjesëlojën e parë (minuta 22’ dhe 41’).
Përndryshe, kryetrajneri i skuadrës së Gjilanit, Debatik Curri, kishte thënë se në çdo takim pa marrë parasysh, a luhet brenda a jashtë, luajnë për fitore dhe se objektivë e skuadrës është kreu i tabelës, duke potencuar se synohet një nga tri vendet e para, pra titulli kampion, ose më së paku dalja në gara evropiane. Sipas tij, çdo vend tjetër jashtë tri vendeve të para, do të llogaritej dështim, transmeton 2LONLINE.
Sidoqoftë, Gjilani regjistroi sot fitoren e dytë, arkëtoi tri pikë, ndodhët në krye të tabelës me 6 pikë dhe se në xhiron e tretë, të AlbiMall Superligës së Kosovës në Futboll, do të luaj takimin e parë si vendës, kundër skuadrës së Dukagjinit. /2LONLINE/
