DYLON

Gjilani e nis Javën e Evropës me sport

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, përkatësisht Zyra për Integrime Evropiane, ka nisur sot shënimin e Javës së Evropës me moton “Me sport në Evropë”, ku u ballafaquan në një ndeshje futbolli veteranët me të rinjtë e qytetit. Në hapjen e këtij ativiteti, zyrtari për Integrime Evropiane, Burim Elezi, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen, ka thënë se kjo iniciativë është një simbolikë e bukur që bënë të mendojmë se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet marrë pak edhe me sportivitet, larg monotonisë së zyrave.

“Falë mbështetjes së parezervë të kryetarit Haziri, në bashkëpunim me organizatën KCD, për një javë rresht do të kemi aktivitete, debate, tryeza, e konferenca, me qëllim që koncepti i Evropës të jetë sa më afër qytetarëve. Në veçanti, në këtë aktivitet dua t’i falënderoj veteranët e futbollit, të cilët me mundin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin kosovar, por edhe atë ndërkombëtar”, ka thënë Elezi.

EkoHigjiena

Selim Daku, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Diplomaci, i cili po e implementon projektin e Komunës së Gjilanit “Feel Free Kosovo”, tha ky aktivitet sportiv ka një rëndësi shumë të madhe në kuadër të fushës së diplomacisë kulturore sportive, e cila është njëra nga fushat më të rëndësishme në promovimit e vendit.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet sportiv ishte edhe legjenda e futbollit kosovar, Muharremi Sahiti, i dha mesazhin që të bashkohemi dhe të japim sinjale pozitive për Evropën.

“Kur kryetari Haziri bënë këso lloj organizime, kjo është shumë e rëndësishme ngase na ka tubuar edhe neve veteranët. Mesazhi im është që të solidarizohemi në aspektin social mes veti dhe t’i lidhim ato ura të bashkëpunimit, prandaj ftesën e kam pranuar me kënaqësi. Gjatë javës, patëm dy ngjarje jashtëzakonisht të mëdha, pranimi i Kosovës në UEFA dhe rekomandimi për liberalizim të vizave dhe përfundimisht po hiqemi nga izolimi që kemi qenë padrejtësisht”, tha Sahiti.

Ndryshe, në kuadër të Javës së Evropës, të hënën në Gjilan mbahet debati me temën “Sfidat dhe mundësitë e liberalizimit të vizave”. /2L ONLINE/