Gjilani do ta ketë edhe një vit tjetër me dietë të ashpër buxhetore

(2L ONLINE) – Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka shfrytëzuar konferencën e sotme në selinë e LDK-së për të folur edhe për zhvillimet në komunë, për të arriturat por edhe për sfidat të cilat e kanë karakterizuar qeverisjen e deritanishme të tij me Gjilanin.

“Me 24 dhjetor bëhet një vit, nga dita që unë kam marrë mandatin në emër të qytetarëve të Gjilanit dhe më lejoni t’i falënderoj në këtë datë të veçantë, para kohës, për një arsye: mbështetja e madhe qytetare për ndryshuar qeverisjen në këtë vit më ka dhënë mundësinë që përveç ndryshimit, të shoh edhe shumë probleme të tjera dhe përveç mundësisë të punoj çdo ditë përkundër vështirësive, ta shoh edhe angazhimin qytetar në realizimin e kërkesave të tyre”, ka thënë Haziri.

Përndryshe,në se vështirësi të mëdha Gjilani ka në projektet që kanë mbetur të parealizuara nga qeverisja e kaluar që nuk janë pak, janë 17 programe të parealizuara nga viti 2013, 2012 dhe 2011.

Janë dy programe të qeverisë së Kosovës të parealizuara, duke e përfshirë edhe ndërtesën e policisë dhe janë dy programe të Komisionit Europian, që përfshinë bibliotekën e qytetit dhe fushën e sportit. Sipas Hazirit nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë mënyrë ligjore të arsyetohen këto vonesa dhe nuk mund të lejohet të dështojnë miliona euro që janë investuar në të kaluarën, për shkak të neglizhencës, vonesës, mospërfilljes së procedurave ligjore dhe për shkak të problemeve tjera që kanë dalë në ndërkohë.

“Po e përmendi me qëllim të tri kategoritë sepse edhe komuna me 17 programe edhe qeveria me 2 programe dhe Komisioni Europian, poashtu me dy programe, duhet definitivisht ta rikthejnë realizimin e këtyre projekteve në mënyrë që të shpëtohet ai investim që ka ndodhur dhe të kthehet besimi te njerëzit se ‘do të përfundohet njëherë e përgjithmonë një program’. E dhimbshme është të përmendet, por Gjilani i ka varrezat e dëshmorëve pa u përfunduar dhe e ka projektin në hetime. 15 vite pas luftës, një problem i tillë të gjendet në një Komunë cfarë është Gjilanit, është jashtëzakonisht e dhimbshme”, ka thënë Haziri.

Në anën tjetër, ai tha se janë angazhuar shumë që rastet sociale dhe politikat sociale, ku përfshihet banimi social, të vendoset si kategori dhe të jetë në fokus. Drejtoria për mirëqenie dhe shëndetësi primare do të forcohet në një drejtori, e cila politikën e banimit social e vendosë si kategori që do ta ketë kujdesin 365 ditë.

“Falënderoj dhe njëherë qytetarët e Gjilanit për aksionin e madh që kanë ndërmarrë dhe ne tri shtëpi kemi filluar t’i ndërtojmë. Do të ndërhyjmë në renovimin dhe sanimin e gjendjes në shumë shtëpi. Edhe më tutje po vinë kërkesat e aplikacionet dhe natyrisht njerëzit kanë nevojë për mbështetjen e shtetit dhe të Komunës. Do t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë dhe në fund, në ato raste ku ka nevojë, Komuna do të ndërhyjë edhe më pagesa për qiratë në banim social, në mënyrë që secili qytetar, secila familje, ta ketë ngrohtësinë e shtetit, e cila i ka munguar deri tash’, thotë tutje Haziri.

Ai ka bërë me die se ka takuar në zyre afro 7000 qytetarë, të cilët kanë ardhur për problemet e tyre dhe kryesisht, problemet kanë të bëjnë me punësim dhe me cështje sociale.

“Vështirësitë në gjashtëmujorin e dytë kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, falë pamundësisë që të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria e Republikës dhe ky vakum institucional, neve në Komuna na ka shkaktuar probleme serioze. Por, shpresojmë shumë që i ka ardhur fundi i këtij procesi dhe do të punojmë edhe në dhjetor, edhe gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të sanohet gjendja dhe t’i mbërrijmë angazhimet tona dhe detyrat tona që i kemi programuar për këtë vit”, thotë kryetari i komunës së Gjilanit.

Sipas Hazirit falënderimi dhe solidariteti i dytë është që Gjilani e ka përjetuar një ‘dietë’ të ashpër buxhetore, dhe Gjilani sidomos në kategorinë e konsumit ka limituar shumë veprimtaritë duke mos lejuar shpenzime cfarë ka ndodhur në vitin 2013 dhe edhe ministria e financave dhe e Pushtetit Lokal e ka konfirmuar shqetësimin që Gjilani ka qenë kampion i komunave me shpenzime vjetore në ushqim. Sipas të parit të komunës ky problem është ndalë dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë në Gjilan.

‘Më duhet ta paralajmëroj që Gjilani do ta ketë edhe një vit tjetër me dietë të ashpër buxhetore, në disiplinë të ashpër buxhetore sa i përket kategorisë së shpenzimeve, por do të rriten shërbimet dhe mallrat, në veçanti, kategoria e investimeve kapitale’, thotë Haziri.

Ai shtoi se e kanë përmirësuar sot për 4.2 milionë euro buxhetin nga vendimi i qeverisë në dalje, që përfshinë kategorinë e bujqësisë, arsimit, shëndetësisë primare dhe infrastrukturës. “Do të punojmë shumë tash me deputetët e Gjilanit, që ta përmirësojmë edhe njëherë në Kuvend dhe besojmë shumë që do të lehtësohet angazhimi jonë sa i përket investimeve dhe kategoritë tjera”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit. /2L ONLINE /

KOMENTE