Gjilani dërgon kontigjentin e parë me ndihma në Shqipëri

Gjilani dërgon kontigjentin e parë me ndihma në Shqipëri

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot kanë nisur kontigjentin e parë të ndihmave për në Republikën e Shqipërisë, konkretisht në zonat më të dëmtuara nga reshjet e fundit në jug të vendit.

Në pikën kufitare në Vërmivë, kishin dalur sot edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemail Minxhozi, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe drejtori i Emergjencave, Ensar Kadriu, të cilët kanë përcjellur këtë kontigjent për në destinacionin e caktuar.

Në fjalën e tij drejtori, Ramiz Ramadani, ka thënë se ky kontigjent i ndihmave të ndryshme është bërë i mundur falë edhe angazhimit konkret të bizneseve dhe fermerëve gjilanas, të cilat kanë mbështetur menjëherë këtë aksion.

“Duke marrë parasyshë që krahas shumë nevojave për të cilat kanë banorët e viseve më të dëmtuara të jugut të Shqipërisë, ne kemi organizuar grumbullimin e ushqimeve të koncentruara për kafshë dhe sot nga Gjilani po dërgohet një kontigjent prej rreth 14 tonelatash ushqim për kafshë, ndërsa Komuna të tjera kanë mbledhur ushqime dhe veshëmbathje për qytetarë, e kështu me radhë. Së bashku me drejtorinë e Emergjencave ne kemi arritur që të organizohemi shumë shpejtë dhe dua ti falënderoj të gjitha organizatat bujqësore që kontribuan duke filluar nga “Consoni”, “Rendimenti”, “Gresa”, Mulliri “Alia Comerc” dhe në mënyrë të veçantë e falënderoj kompaninë “Fauna Group”, e cila ka ndarë një kontigjent prej 10 mijë kilogramë me miser kokërr”, ka thënë drejtori Ramadani.

Ai ka paralajmëruar që kjo iniciativë do të vazhdoj edhe më tutje sepse në këtë fazë emergjente këto ndihma janë jashtzakonisht të nevojshme për blegtorët e Fierit dhe Vlorës.

Ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndërmarrë këto hapa të mbështetjes për qytetarët të cilët janë të përfshirë nga vërshimet në Vlorë, Fier, në qytete dhe vendbanime të tjera.

Ai ka thënë se janë kontigjente nga Gjilani, Peja, Malisheva, Vitia, Prizreni dhe qytete të tjera me gjithsej 15 maune me ngrakesë që po shkojnë drejtë Shqipërisë, gjithashtu ka bërë të ditur që është duke vazhduar ky aksion.

Ambasadori Minxhozi poashtu ka falënderuar edhe Policinë e Kosovës për intervenimit përmes Njësisë Speciale në vatrat më të rrezikshme të vërshimeve, duke falënderuar edhe për gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të intervenoj nëse është e nevojshme, por dhe shumë biznese e qytetarë që janë duke u dalë në ndihmë banorëve atje në forma dhe mënyra të ndryshme.

KOMENTE