Gjilani debaton për parandalimin e ekstremizmit, radikalizmin dhe terrorizmin

Gjilani debaton për parandalimin e ekstremizmit, radikalizmin dhe terrorizmin

Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, me mbështetje të Ambasadës Amerikane dhe të Komunës së Gjilanit, është organizuar sot debat për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve të tjera që shpien në radikalizëm dhe terrorizëm.

U kërkua nga qytetarët e Kosovës respektivisht të rinjtë që të largohen nga grupacione të cilat kanë qëllim rekrutimin, sepse ballafaqimi me ligjin është i padiskutueshëm ndërsa dëmi që i shkaktohet vendit është shumë i madh.

Në emër të Komunës, në cilësinë e panelistit ishin nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, komandantja e Policisë Regjionale, Elmina Mhmuti, kryetari I Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, përfaqësues të institucioneve të rendit dhe sigurisë, institucionet arsimore, shëndetësore, përfaqësues të shoqërisë civile, të fshatrave dhe pjesëmarrës të tjerë.

Ata, njëzëri kanë kërkuar angazhim shumë më të madh në këtë drejtim, në mënyrë që gjendja e sigurisë të jetë gjithnjë më e qetë dhe me sa më pak raste të përfshira në organizime të ndryshme ekstremiste, radikale dhe teroriste.

Nënkryetari Rexhep Kadriu, në fjalën e tij ka përshkruar në pika të shkurtëra angazhimin e Komunës nga niveli lokal si dhe bashkëpunimet që kanë institucionet lokale në fushën e sigurisë dhe parandalimit të organizimeve të mundshme ekstremiste, radikale dhe terroriste.

“Kryetari Haziri në vitin e kaluar ka themeluar Mekanizmin Referues, i cili në përbërje ka përfaqësues nga qeverisja lokale, arsimi, shëndetësia, bashkësitë fetare, institucionet e sigurisë dhe institucione e akterë të shumtë me qëllim të parandalimit të këtij problem, i cili tashmë është global dhe kërkon angazhim të gjerë për sigurinë e përgjithshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kryetari Haziri ka dhënë mbështetjen e fuqishme për këtë mekanizëm dhe është gjithnjë në mbështetje të tij, falë edhe bashkëpunimit shumë të mirë që ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ambasadën Amerikane dhe ambasada të tjera dhe me organizatat ndërkombëtare të cilat janë kyçur direkt në mbështetje të kësaj trupe”, ka thënë ai.

Nga ana e saj Elmina Mahmuti, komandante Regjionale e Policisë së Kosovës, ka thënë se përkundër që ky regjion është ndër më të ndjeshmit, sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në luftra të huaja, “mirëpo falë angazhimit dhe lëvizjes së gjitha institucioneve është arritur që rekrutimi të ndalet të paktën për më shumë se një vit siç ka thënë ajo nuk ka asnjë qytetarë që iu ka bashkangjitur luftës atje, edhe pse duhet shumë vigjilencë në mënyrë që të mos preken qytetarët e Kosovës dhe të Gjilanit njëkohësisht nga kjo dukuri kriminale e krijuar nga organizata dhe individë që tashmë një pjesë e tyre është arrestuar, ka dalë para drejtësisë apo edhe raste kur organizata të ndryshme janë mbyllur për shkak të këtyre qështjeve të dyshimta”.

E nga ana e tij, Naim Aliu kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, ka thënë se institucioni fetar që ai drejton është më i dëmtuari nga këto lufta të lindjes dhe nga të rekrutuarit për në këto luftëra.

“KBI në Gjilan dhe të gjitha xhamitë janë të hapura dhe bashkëpunuese që të punohet në mënyrë që sa më pak qytetarë të kemi në këto luftëra, deri në parandalimin total sepse këto luftra në lindje nuk kanë bazën fetare dhe Bashkësia Islame e Gjilanit, por as ajo në nivel qendror, asnjëherë nuk i ka mbështetur, por gjithnjë ka qenë dhe është kundër keqpërdorimit dhe cënimit të sigurisë për qytetarët e Kosovës të cilët janë të përfshirë në këto luftëra dhe në organizime që janë kundër islamit. Xhamitë e Gjilanit kanë mbajtur seri të ligjëratave duke kundërshtuar pjesëmarrjen nëpër këto luftëra, derisa edhe në të ardhmen do të ketë ligjërata të kësaj natyre brenda xhamisë me qëllimin e vetëm parandalimin”, tha Aliu.

Të pranishmit në këtë debat kanë kërkuar angazhim më të madh në terren dhe debate më të shpeshta kundër kësaj dukurie shkatërruese të të ardhmes së një të riu i cili mund të jetë pjesë e këtyre grupeve terroriste në Siri, Irak dhe shtete të tjera të lindjes ku janë të përfshira në luftëra të cilat me kohë pjesëmarrja në to është sanksionuar edhe me ligjin e nxjerrë nga Parlamenti i Republikës së Kosovës. ​

KOMENTE