/2L ONLINE/ – Organizuar nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Qendra e Kosovës për Mbështetje të Biznesit, ëshët mbajtur sot një debat me gratë e Gjilanit të cilat janë udhëheqëse të biznesit, me qëllim të mbështetjes së tyre dhe avancimit drejtë zgjerimit të biznesit dhe rritjes së numrit të grave në të bërit biznes.
Në fjalën e tij drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka thënë se projekti “Fuqizimi Ekonomik i Gruas, Avancim i Shoqërisë Kosovare”, ka për qëllim fuqizimin socio-ekonomik të gruas afariste në Komunën e Gjilanit, përmes edukimit dhe angazhimit të saj në vendimmarrje lokale, me qëllim të krijimit të politikave lokale në favor të bizneseve në përgjithësi.
“Kjo është një rrugë e cila kërkon angazhim shumë të madh, që të kemi rezultate dhe qëndrueshmëri të bizneseve të udhëhequra nga femrat. Problemet kryesore që femra ka sot në Kosovë është mungesa e pronësisë, pengesa në ushtrimin e veprimtarisë dhe pasiguria financiare, mirëpo gjithnjë përmes zyrës për mbështetje të bizneseve kemi punuar me prioritet që femrat të kenë të gjitha dokumentet e kompletuara kur ka qenë në pyetje aplikimi për fonde të ndryshme apo për zhvillim të bizneseve të udhëhequra nga femrat në përgjithësi. Inkurajoj të vazhdohet më tutje dhe problemet, pyetjet dhe temat e ndryshme të ngriten me kohë që të jetë e mundur të futen në strategjinë 2017-2020. Gjithashtu, inkurajoj të gjitha gratë biznesmene, që të aplikojnë në të gjitha programet për grantet dhe subvencionet që ndahen qoftë nga Komuna, ministritë apo ogranizatat tjera ndërkombëtare”, ka thënë drejtori Zuzaku.
Ndërsa nga ana e tij drejtori i organizatës KCBS, Nazmi Pllana, ka thënë se jemi këtu për avancimin e gruas në biznes dhe trajnimin për avokim dhe promovim.
Ai gjithashtu ka thënë se përmes këtyre debateve po tentohet që të bëjmë vetëdijësimin e grave afariste për rëndësinë dhe kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë, pastaj rritjen e ndikimit të grave në biznes, përmes krijimit të rrjetit joformal avokues të grave në biznes dhe krijimin e strategjisë komunale për fuqizimin e pozitës së gruas në biznes, duke mos lënë anash asnjëherë promovimin e aktiviteteve të projektit në media lokale por edhe qendrore.
Me fjalën e tyre janë paraqitur edhe Xhylishene Berisha, Lindita Salihu e Arjeta Maka, të cilat kanë ngritur problemin e numrit të vogël të grave në biznes si dhe numrin e madh të papunësisë, e veçanërisht të grave pa punë.
Kosovo Center for Business Support – KCBS, ka filluar implementimin e projektit “Fuqizimi Ekonomik i Gruas, Avancim i Shoqërisë Kosovare”, projekt ky i financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përmes projektit “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet”, zbatuar nga Fondacioni për Shoqëri Civile./2L ONLINE/