Venera Kadriu është një nga vajzat vizionare nga Gjilani, e cila pas shkollimit të mesëm karrierën po e vazhdon në Amerikë, në studimet për financa pranë Universitetit Northwood te Michigan State. Ajo u bë pjesë e këtij universiteti, falë përgatitjeve të saja paraprake në Gjilan.
Fillimisht, Venera ishte ndër volejbollistet e dalluara të KV Drita në Gjilan, ku fitoi disa trofe por edhe eksperiencë të mjaftueshme për të qenë e suksesshme dhe konkurrente edhe në vende të tjera. Ajo u përzgjodh në mesin e shumë aplikuesve, duke permbushur arritjet e testeve amerikane SAT and TOEFL, me rezultate të shkëlqyeshme gjatë shkollimit në Kosovë si dhe përvoja e saj në sport dhe performancat e dalluara e ndihmuan shumë.
Kjo ka bërë që së fundmi ajo të fitojë bursën e plotë 100% nga ky universitet, falë edhe të arritjeve të treguara në semestrin pranveror të 2020-ës.
Venera nuk e lë anash asnjëherë sportin, pasi edhe në këtë universitet ajo është studente-atlete (student-athlete), gjë që tregon se krahas mësimit dhe studimit, ajo vazhdon angazhimin në sport e ushtrime.
Kjo gjë sipas, Venerës është sfiduese për një student të zakonshëm, por pasioni që ka për volejbollin dhe eksperienca që ka fituar te Drita, në kohën sa ishte nxënëse ia bënë rrugëtimin më të lehtë.
Venera tregon për 2LONLINE.com se ky universitet krijon kushte dhe mundësi të jashtëzakonshme për student, gjë që ka ndihmuar të adaptohet shumë mirë.
“Kur kam ardhur këtu kam pasur dinamikë të njejtë të jetës dhe mund të them që jam adaptuar shumë shpejt. Gjithashtu, duhet të thuhet se sistemi amerikan është më i avancuar dhe u ofron studentave mësime më efikase e të avancuar për mësimnxënje. “Northwood University” i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë, madje edhe më tepër, shto këtu edhe drejtimin që mua më ka pelqyer shumë dhe ndjehem rahat”, ka thënë Kadriu.
Ajo nuk ka ngurruar të bëjë një krahasim mes arsimit në Kosovë, duke theksuar se sekreti është tek metodat, të cilat janë më tepër praktike e “që u ndihmon nxënësve/studentëve të jenë më të gatshëm për punën e tyre të ardhshme profesionale.”
Volejbollistja gjilanase vazhdon ta ndjek pasionin e saj volejbollin në Amerikë dhe tashmë ushtron me trajnerë profesionist, ndërsa shpreson që një ditë të luaj në Pro Volleyball në Evropë, pa lënë asnjëherë anash Kombëtaren e Kosovës në Volejboll.
“Planet e mia për të ardhmen janë te vazhdojë karreiren time akademike në nivele sa më të larta si dhe do të dëshiroja të vazhdoja të luaj në Pro Volleyball në Evropë. Të ardhmes nuk i dihet, por sa herë që Kombëtarja e Kosovës të ketë nevojë për mua dhe të më ftoj unë do jem aty gjithmonë. Arritjet të cilat unë i çmoj më së shumti janë arritjet në garat, të cilat une e prezantoj flamurin e Kosoves”, ka deklaruar Venera për 2LONLINE.com.
Volejbollistja gjilanase, Venera ka fituar disa trofe me vashat e Dritës, ndërsa ka marrë pjesë edhe në kompeticione e turne ndërkombëtarë. Ajo veçoi turneun e Ballkaniadës, ku gjilanasja ishte pjesë e “Dream Team” dhe fitoi titullin “Best Outside” e garës.
Studentja e dalluar gjilanase, volejbollistja që po mahnitë me talentin e saj edhe në Amerikë, Venera Kadriu ka një mesazh për të gjitha vajzat kosovare.
“Dhe në fund nje mesazh për të gjitha vajzat është të merren me sport dhe që gjithëmonë të ndjekin ëndrrat e tyre. Puna e palodhshme gjithmonë shpërblehet! “ /2LONLINE.com/