Gjilanasja Festina Kurteshi nga Gjilani ligjëron në Forumin “Berlin Global Forum 2026”
Gjilanasja Festina Kurteshi ka qenë pjesë e forumit ndërkombëtar “Berlin Global Forum 2026”, të mbajtur në kryeqytetin gjerman, ku ka ligjëruar para rreth 100 pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës.
E ftuar nga organizata “Organization for Global Peace and Sustainability”, Kurteshi ka mbajtur ligjëratën me temën “Beyond Power: The Philosophy of Good Politics” (Përtej pushtetit: Filozofia e politikës së mirë), një temë që trajton politikën përtej pushtetit dhe interesave, duke vënë në qendër etikën, integritetin, përgjegjësinë dhe të mirën e përbashkët.
“Ishte veçanërisht kënaqësi të isha pjesë e një grupi kaq të larmishëm ndërkombëtar, si dhe të takoja, bashkëbisedoja dhe ndaja përvoja e perspektiva me studentë, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës”, ka deklaruar ajo.
Festina Kurteshi e ka vlerësuar forumin si një përvojë të rëndësishme të shkëmbimit të njohurive dhe ideve si dhe një mundësi për të kontribuar në dialogun ndërkombëtar mbi të ardhmen e politikës dhe lidershipit. /2LONLINE/
Rrugëtimi akademik dhe profesional
Festina Kurteshi ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Diplomatike të Gjenevës (Geneva School of Diplomacy and International Relations), në Zvicër. Gjatë rrugëtimit të saj profesional, ajo ka punuar me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në Gjenevë, duke kontribuar në angazhimet dhe aktivitetet që lidhen me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Aktualisht, Kurteshi është e angazhuar në aktivitete akademike dhe ligjërime në forume të ndryshme ndërkombëtare, në kryeqendra evropiane si Gjeneva, Berlini, Vjena, Brukseli, Amsterdami e Parisi, ku trajton tema që ndërlidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë, etikën politike dhe lidershipin.
Përveç përgatitjes akademike dhe përvojës ndërkombëtare, ajo flet tri gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht, duke lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin me përfaqësues nga vende dhe kultura të ndryshme.
Pjesëmarrja e saj në Berlin Global Forum 2026 përfaqëson një tjetër përvojë në rrugëtimin e saj ndërkombëtar dhe një mundësi për të prezantuar perspektivat dhe idetë e saj në një platformë me karakter global.
Angazhime të tilla akademike dhe profesionale të të rinjve nga Gjilani dhe Kosova në skenën ndërkombëtare përbëjnë një vlerë të shtuar për qytetin dhe vendin, duke dëshmuar rëndësinë e investimit në dije, profesionalizëm dhe përfaqësim ndërkombëtar.
