Gjilanasja drejt Everestit, ministri i jep flamurin e Kosovës me vete

Gjilanasja drejt Everestit, ministri i jep flamurin e Kosovës me vete

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim alpinisten Uta Ibrahimi. Fillimisht ministri e përgëzoi alpinisten  për sukseset e treguara deri më tani dhe gjatë këtij takimi ia dhuroi asaj flamurin e Republikës së Kosovës për ta vendosur në majat e Everestit gjatë këtij sezoni.

Në kuadër të mbështetjeve të shumta të cilat MKRS-ja ofron për sportistët tanë, Gashi i ofroi mbështetje financiare në vlerë prej 8 mijë euro alpinistes Uta Ibrahimi për ekspeditën e radhës të cilën do ta fillojë në fund të muajit prill.

Bëhet fjalë për ekspeditën në Himalaje në Nepal, në ngjitjen e radhës në majën Lhotse Jug 8516m (Lhotse South) e cila do të përcillet nga ekipi i National Geographic, ku do të bëhet edhe dokumentar për këtë ngjitje. Uta është pjesë e ekipit të ngjitëseve nga e gjithë bota, Koreja, Kina, Spanja, Kolumbia, Nepali dhe Kosova.

Me ketë rast Gashi tha se “Ne po mbështesim në vazhdimësi sportistët të cilët kanë nevojë që të përkrahen për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Duke pasur parasysh imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, iniciativa e projekte të këtilla janë të mirëseardhura, u shpreh Gashi.

Ndërsa Alpinistja Uta Ibrahimi u shpreh e kënaqur me mbështetjen financiare dhe falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që po iu jep sportistëve.

KOMENTE