Gjilanasit shkëlqejnë përsëri në olimpiadën matematike të Kosovës- OMK 2016
/2L ONLINE/ – Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), sot shpalli rezultatet zyrtare të Olimpiadës Matematike të Kosovës – OMK 2016, të mbajtur më 12/03/2016 në Banullë – Lipjan. Edhe sivjet, në këtë olimpiadë gjilanasit shkëlqyen. Kuptohet këtu duke i llogaritë edhe nxënësit gjilanas që pikënisjen e sukseseve dhe kalitjes së tyre matematike e kanë nga shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit dhe Olimpiadat Matematike të Gjilanit. Ndërsa tani këta nxënës po vazhdojnë me sukses të lartë shkollimin në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë dhe në Kolegjin Mehmet Akif në Lipjan.
Kështu nga gjithsejt 12 vende të para në OMK 2016, gjilanasit zunë 3 vende apo 25 % të tyre, ndërsa nga gjithsejt 21 vetë të kualifikuar për të vazhduar më tej garën për përzgjedhjen e reprezentacionit shtetëror, triumfuan 7 gjilanas apo 33.33 %. Posaçërisht vlen të permendet gjilanasja Ardita Berisha që zuri vendin e parë në klasat e XI me 98 pikë.
Këtë herë nga ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit, sukses më të madh treguan nxënësit e klasës së IX, ku Leart Ajvazaj (SHMU ,,S. Hallaqi” – Gjilan) zuri vendin e dytë, ndërsa nxënësi tjetër Endi Sahiti (SHMU ,,M. Zajmi” – Gjilan) zuri vendin e IV. Por edhe nxënësit tjerë gjilanas që nuk arritën të kualifikohen për të vazhduar më tej garën, arritën në nivel vendi sukses solid.
Nxënësit tjerë gjilanas që u kualifikuan për të vazhduar garën më tej deri në përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Botërore të Matematikës IMO 2016 që mbahet 6-16/07/2016 në Hong Kong, janë: Nita Sylejmani (kl. X vendi II), Ardita Berisha (kl. XI – vendi I), Erion Hamiti (kl. XI. vendi IV), Alban Elezi (kl. XI – vendi V ) dhe Doruntina Sylejmani (kl. XII vendi II).
Shpallja solemne e rezultateve të OMK 2016 dhe ndarja e shpërblimeve përkatëse për fituesit, bëhet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), më 19/03/2016 në FSHMN në Prishtinë.
Ju dëshirojmë suksese të mëtejme!
Festim SHKODRA
