(2LONLINE) – Të hënën më 17 shkurt Republika e Kosovës mbushi 6 vjet të shtetësisë së saj. Mirëpo shumë prej qytetarëve gjilanas nuk shprehen edhe aqë të kënaqur për këtë përvjetor kur kemi parasysh pritjet e tyre dhe të arriturat. Ata thonë se Kosova nuk shënon edhe shumë të arritura sa i përket 6 viteve shtetësi dhe se kjo sipas tyre vije si rezultat i mos seriozitetit në punë nga ana e pushtetarëve.
Qytetarët fajësojnë klasën politike për gjendjen aktuale sepse sipas tyre ata premtojnë miliona euro investime vetëm në letër. Gjilanasit konsiderojnë se Kosova gëzon një pavarësi formale të administruar nga të tjerët.
Minush Emini 17 shkurtin e konsideron si ditë të zakonshme. Ai gjithashtu pati një kërkesë për kryeministrin e vendit Hashim Thaçin , që ky i fundit të provoj të ecë lirshëm në komunat e Serbisë të banuara me shqiptarë.
‘Zyrtarë serbë të institucioneve të Serbisë vijnë lirshëm në Kosovë, por jo vetëm kaq, ata me vete marrin edhe truproja të armatosura dhe shëtisin lirshëm, por le të provojë Hashim Thaçi të vizitoj së paku një herë Preshevën me eskortën e tij dhe t’i vizitoj shqiptarët atje’, shprehet Emini.
Por sa i përket vet Komunës së Gjilanit, qytetarët gjilanas mendojnë se kjo komunë mund të konsiderohet s’i komuna më e prapambetur në vend në të gjitha fushat e jetës që nga shtetformimi i Kosovës e deri më sot, ku shtojnë se pritjet dhe të arriturat në komunë janë në kundërshtim me njëra tjetrën.
Ata theksojnë se komuna e Gjilanit merret për shembull si komuna më e varfër në Kosovë në të gjitha aspektet.
Sipas tyre gjatë këtyre 6 viteve janë ndërtuar disa shkolla që kanë zbutur sado pak mungesën e shkollave si dhe janë asfaltuar disa rrugë dhe këto mund të merren si përparësi në Komunë.
Abdullah Tahiri një qytetar i vjetër gjilanas është vetëm një nga të pakënaqurit për zhvillimet në Gjilan.
“Nuk mundemi me u kanë të kënaqur kur na mungojnë gjërat kryesore në komunë , si gjërat esenciale e kështu me radhë”, thotë Tahiri, përderisa qytetari Idriz Halimi thekson se komuna e Gjilanit merret për shembull si komuna më e varfër në Kosovë në të gjitha aspektet.
“Ta kujtojmë kohën e para shumë viteve kur Gjilani njihej me shumë fabrika ndërsa sot mbretëron papunësia dhe mund të them se Gjilani është komuna më e varfër në vend”, thotë Halimi.
Ymer Xheladini një qytetar tjetër gjilanas, pohon se gjatë këtyre 6 viteve janë ndërtuar disa shkolla që kanë zbutur sado pak mungesën e institucioneve shkollore si dhe janë asfaltuar disa rrugë , dhe këto mund të merren si përparësi në Komunë por asgjë më tepër.
Për më tepër, të zhgënjyer nga situata e përgjithshme në Komunën e Gjilanit, qytetarët kërkojnë ndërrimin e qeverisë Qendrore , sepse sipas tyre kjo e fundit është shkaku kryesor i mossukseseve në komunë dhe në shtetin e Kosovës.
Gjilanasit shpresojnë që në një të ardhme të afërt kjo situatë të normalizohet me krijimin e vendeve të reja të punës , me investime të shumta në infrastrukturë dhe me zhvillim të ekonomisë./E.J/2lonline/