/2L ONLINE/ – Njësia për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Gjilanit ka shpallur konkursin për artin letrar, pamor dhe dramatik që do të jenë pjesë e manifestimit “Flaka e Janarit 2016”
Kur bëhet në pyetje Arti Letrar , Bashkim Nexhipi, udhëheqës i Task-Forcën për Kulturë, Rini dhe Sport, ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit, në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit 2016”, ka shpall konkursin tradicional letrar për tregim të shkurtër dhe për poezi, me qëllim të nxitjes dhe avancimit të vlerave letrare të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe kudo ku jetojnë ata që shkruajnë shqip.
Nexhipi ka bërë të ditur se tema e konkursit është e lirë. Konkursi është anonim, i hapur deri më 15 janar 2016 dhe me shifër. Punimet e pabotuara (në libra, gazeta e revista, portale, internet si dhe rrjete sociale) dërgohen në tri kopje, në adresën: Komuna e Gjilanit, Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në adresën elektronike: [email protected]
Rezultatet e konkursin shpallen në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2016”. Të gjithë konkurruesit duhet t’u përmbahen kritereve dhe afatit të konkurrimit.
Për tregim të shkurtër (deri në tri faqe me rreshta të rrallë)
Çmimi i parë….…………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro
Për poezi (deri në 50 vargje)
Çmimi i parë.……………………………… 250 euro
Çmimi i dytë………………………………. 200 euro
Çmimi i tretë………………………………..150 euro
Krijimet e shpërblyera dhe ato që sugjerohen për botim, do të botohen në revistën letrare-kulturore AGMIA.
Kurse për punimet e sferës së Artit Pamor, për Ekspozitën kolektive mbarëkombëtare, që do të hapet në Galerinë e Qytetit, Nexhipi ka thënë se të gjithë artistët profesioniste mund të konkurrojnë me një (1) vepër, përmasat e së cilës duhet të jenë jo më të mëdha se 120 cm. (Çmimi blerës për fondin e galerisë – 500 € dhe tri çmime tjera në vlerë prej 150 €). Punimet, jo më të vjetra se dy vite, teknikisht të përgatitura dhe të pa ekspozuara më parë, me tematikë të lirë, dorëzohen në Galerinë e Qytetit, gjatë orarit të ditët e punës, deri më 10 janar 2016.
Në konkurs, mund të marrin pjesë krijuesit e të gjitha zhanreve të artit pamor nga të gjitha trojet tona etnike, ndërkaq që punimet e përzgjedhura do të katalogohen.
Sa i përket artit dramatik, Bashkim Nexhipi, udhëheqës i Task-Forcën për Kulturë, Rini dhe Sport, bëri të ditur se do të përzgjidhen pesë shfaqje teatrale, mundësisht me përfaqësim nga trevat mbarëkombëtare, duke mundësuar prezantimin e vlerave më të mira të dramës shqipe. /2L ONLINE/