/2L ONLINE/ – Raporti në mes pozitës-opozitës në Kuvendin Komunal të Gjilanit janë raporte të tensionuar dhe për këtë fajtor është pozita. Kështu ka thënë Nevzad Isufi-shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai tha se edhe në rastet kur kërkesat e opozitës janë tejet të arsyeshme ato po injorohen nga pozita.
Isufi ka thënë se që nga fillimi i punimeve të përbërjes së këtij Kuvendi, raportet kanë qenë vazhdimisht të tensionuara, propozimet dhe kërkesat e anëtarëve të Kuvendit të opozitës në vazhdimësi kanë qenë konkrete dhe të arsyeshme, po në pjesën dërmuese ato janë injoruar nga pozita.
“Gjatë gjithë vitit janë aprovuar 2 a 3 çështje të propozuara nga opozita, pasi që s’kanë pasur hapësirë më, për t’iu ikur dhe tash tërë kohën i përmendin ato si një përfillje e opozitës. Ato nuk janë bërë për hir të opozitës, por për hir të çështjeve që si të tilla kanë qenë të patejkalueshme”, ka thënë Isufi i Vetëvendosjes.
Përndryshe ai ishte kritikë edhe për faktin që në pyetjet dhe kërkesat që po i adresojnë në adresë të ekzekutivit, me pak përjashtime, nuk po marrin përgjigje në disa prej tyre, në disa të tjera përgjigje po marrin me vonesë të theksuar dhe në disa të tjera p marrin përgjigje gjysmake apo që nuk kanë të bëjnë me pyetjen e parashtruar.
“Njëra ndër mënyrat e mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit nga Kuvendi është parashtrimi i pyetjeve e kërkesave nga anëtarët e Kuvendit. Gjatë vitit që lamë pas, anëtarët e grupit tonë janë dalluar me parashtrimin e pyetjeve dhe kërkesave të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me angazhimet e kryetarit të Komunës, të Kryesueses së Kuvendit, të gjitha drejtorive, zyrave e njësive, por lidhur me përgjigjet në kërkesat e anëtarëve të Kuvendit, ne si grup opozitar jemi të zhgënjyer përgjithësisht”, ka thënë Nevzad Isufi-shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. /2L ONLINE/