“Që nga data 15.04.2020 – 30.04.2020, nga Qendra Operative Emergjente, në Komunën e Gjilanit, janë lëshuar gjithsej 430 vërtetime për lëvizje të lirë të qytetarëve. Krejt kjo, është bërë për shkak të kufizimit të dukshëm të masave të qarkullimit nga ana e qeverisë së Republikës”.
Kështu ka bërë me dije, Arbër Ismajli nënkryetar i Komunës, sipas të cilit, kjo është bërë duke i parë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për lëvizje dhe qarkullim të lirë, andaj komuna ka vazhduar t’iu bëjë zgjidhje për t’iu mundësuar plotësim të nevojave të tyre.
“Disa nga nevojat e patjetërsueshme për qarkullim të qytetarëve, janë mundësuar nga Qendra Operative Emergjente e Gjilanit, duke lëshuar vërtetim qarkullimi, mbi bazën e arsyetimit të lëvizjes. Këto vërtetime, janë lëshuar personave të cilët kanë shfaqur arsyeje dhe nevojë të madhe për qarkullim, siç janë personat të cilët bëjnë përkujdesjen e të moshuarve, për persona me nevoja të veçanta, si dhe për nevoja të kontrollave mjekësore”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai shtoi se janë këtu për t’i trajtuar nevojat dhe kërkesat qytetare, si dhe, për menaxhim sa më të mirë në tejkalimin e situatës pandemike.
“Bashkë, do t’i prijmë këtij procesi, gjerë në largimin përfundimtar të kësaj pandemie”, ka thënë në fund nënkryetari Ismajli.