Në kuadër të aktivitetit “FOL hapur”, Lëvizja FOL, mbështetur nga USAID-Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse. ka prezantuar në Gjilan platformën, “Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike.
Qëllimi i këtij takimi në Gjilan, sipas përfaqësuesve të Lëvizjes FOL, ka qenë prezantimi edhe para gjilanasve i këtij portali dhe përdorimi i tij. E, Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, i cili prezantoi portalin në fjalë, ka bërë me dije se si erdhi deri tek ideja e krijimit të portalit si dhe cili është qëllimi i tij, ku përmes një mekanizmi elektronik, qytetarëve, gazetarëve, por edhe shoqërisë civile, u ofrohet qasje për të parë se ku përfundojnë të gjithë paratë e taksapaguesve kosovar.
“Ideja është me ofrue një mekanizëm i cili përmes teknologjisë mundet me luftue korrupsionin në mënyrën më të thjeshtë. Ajo që po synojmë përmes këtij portali është me ofrue transparencë në lidhje me shpenzimin e parasë publike. Qytetarët e Gjilanit kanë mundësi me kontrollue se cilat kontrata janë duke u dhënë nga komuna për kryerjen e punëve, çfarë lloj të punëve janë duke u kryer, kush janë kompanitë që janë duke i fituar tenderët në komunë. Pastaj kanë mundësi me pa se kush janë pronarët e këtyre kompanive përmes regjistrit të bizneseve, njëkohësisht kanë mundësi edhe me raportue për ndonjë parregullsi apo keqpërdorim të parasë publike”, ka thënë Zulfaj
Ai tha tutje se portali i mbështetur nga USAID është pa pagesë për të gjithë përdoruesit e saj dhe si i tillë do të mbetet përherë.
Gjatë këtij takimi pati edhe pyetje të parashtruara nga pjesëmarrësit për të ditur në detaje lidhur me qasjen konkrete të ndonjë dokumentacioni të caktuar, e për të gjitha këto morën përgjigje nga Jeton Zulfaj.
Përndryshe, diskutime të tilla “Fol Hapur”, përkatësisht prezantimi këtij portali është bërë edhe në disa komuna tjera të Kosovës, e do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në komunat tjera.
.