/2L ONLINE/ – Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri, gjatë ditës së premte ka mbajtur një konferencë për media me gazetarë, me këtë rast ka shpalosur raportin për periudhën nëntëmujore (Janar – Shtator) 2015, ku në bazë të raportit të publikuar, Gjykata Themelore e Gjilanit ka vazhduar trendin e zgjidhjes së lëndëve dhe njëherësh edhe zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara ndër vite.
Kryetari Haziri ka theksuar si fakt rënien e kriminalitetit në regjionin e Gjilanit.
“Një fakt që na bënë të ndihemi mirë ne si institucion, por edhe si regjion i Gjilanit, është se po bëhen dy vite, që nuk ka ndodhur ndonjë vrasje në këtë regjion. Ky rezultat ka ardhur nga përkushtimi i organeve të sigurisë dhe drejtësisë”, ka potencuar Haziri.
Kreu i Gjykatës ka folur para mediave edhe për rezultatet e institucionit të cilin e udhëheq, si dhe zgjidhjen e lëndëve të natyrës së korrupsionit.
“Mund të ju njoftoj që Gjykata Themelore e Gjilanit për vitin 2014, është zgjedhur si gjykata më efikase në nivel të Kosovës dhe po shpresojmë që edhe vitin 2015 të dalim me të njëjtat rezultate. Një fakt që dua të ceki është se gjykata jonë, i ka dhënë pritoritet e zgjidhjes së lëndëve të natyrës së korrupsionit dhe procedimin e tyre deri në fund të këtij viti”, ka deklaruar Haziri.
Në bazë të dhënave për periudhën Janar – Shtator në Departamentin e krimeve të rënda janë pranuar 142 lëndë, ndërsa kanë marr Aktgjykim të formës së prerë 190 lëndë penale.
Në Departamentin për të mitur janë pranuar 111 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 72 lëndë penale.
Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal janë pranuar 991 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 1.193 lëndë.
Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil janë pranuar 778 lëndë, kurse janë kryer 1.072 lëndë civile.
Edhe Dega e Gjykatës Themelore në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë, kanë arritur rezultate të kënaqshme në zgjidhjen e numrit të lëndëve. /2L ONLINE/