(2LONLINE) – Drejtues të Drejtorisë Për Zhvillim Ekonomik(DZHE), të Komunës së Gjilanit, bënë të ditur se kah fundi i këtij muaji do të mbahet edhe konferenca e donatorëve dhe në këtë drejtim Gjilani është i gatshëm me projekte konkrete.
Ismail Januzi, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik (DZHE) i Komunës së Gjilanit, ka thënë për Portalin 2Lonline, se gjatë viteve të kaluara, në këtë regjion është investuar më së paku dhe kjo ngecje në ndërtimin e infrastrukturës, ka ndikuar edhe në moszhvillimin ekonomik, por se në këtë drejtim gjërat tani do të ndryshojnë sepse qeverisja Haziri, drejtoritë përkatëse, duke përfshirë edhe drejtorinë që e drejton ai, janë të përkushtuar për të punuar maksimalisht në realizimin e programit ekonomik të LDK-së, e për ta ndërruar gjendjen e keqe për faj të qeverisjes së kaluar dhe lënien si zorre qorre të Gjilanit nga qeveria qendrore.
Januzi ka thënë se janë duke u bërë gati për Konferencën e Donatorëve që parashihet të mbahet ka fundi i muajit prill dhe se si komunë, kanë përgatitur katër projekte, por janë edhe 20 projekte të tjera të karakterit regjional nga të cilat pritet të ketë përfitime edhe Komuna e Gjilanit.
Ndër projektet komunale që parashihen për Konferencën e Donatorëve janë edhe Ndërtim i Objektit të Administratës Komunale në vlerë mbi 2 milion e 500 mijë euro, Rregullim i rrjetit të kanalizimit dhe i shtratit të lumit “Stanishorka”, projekt në vlerë prej 3 milion e 600 mijë euro, pastaj projekti tjetër është rruga magjistrale Gjilan – Prishtinë (hyrja me katër korsi), në sektorin Gjilan deri tek Penda e Livoçit , projekt në vlerë prej 3 milion e 500 mijë euro dhe projekti i katërtë, ndërtimi i Parkut Industrial në vendin e quajtur Gllama – Livoç i Epërm, në vlerë prej 2.2 milion euro.
Përndryshe, Januzi tha se kanë bërë gati dhe kanë konkurruar edhe me 13 projekte të rëndësishme në programe të ndryshme si në programet përkatësisht fondet e MAPL-së, por edhe në programet e Bashkimit Evropian dhe beson fortë në mbështetjen e këtyre projekteve.
Ai tha se janë të përkushtuar dhe po angazhohen seriozisht në realizimin e këtyre projekteve që kanë të bëjnë me ndërtimin e trotuareve, terreneve sportive shkollore, ndërtimin e Parkut të Qytetin në lagjen “Dardania”, projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë dhe projekte të tjera të natyrave të ndryshme që do të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve gjilanas. /2lonline/