Gjermania me masa të rrepta për azilkërkuesit që gënjejnë

Gjermania me masa të rrepta për azilkërkuesit që gënjejnë

Për ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, nëse azilkërkuesit e refuzuar fshehin identitetin do të humbasin “duldung“-un, lejen e përkohshme të toleruar. Planet janë ende duke u përgatitur.

Synimi i këtij ashpërsimi ligjor është të ndahen azilkërkuesit e refuzuar që e pengojnë vetë dëbimin e tyre nga ata që për arsye të njohura nuk mund të dëbohen, sepse nuk kanë pasaportë, kanë arsye të forta humanitare që flasin kundër dëbimit apo në rajonin e banimit të personit nuk ka fluturime për shkak se është një rajon krize.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin është shprehur ,se azilkërkuesit janë deri më tani i vetmi grup i të huajve në Gjermani, i cili nuk ndiqet penalisht, kur gënjen autoritetet për identitetin. Aktualisht ka vetëm gjobitje si kundravajtje. Kjo është një gjendje, që nuk duam „ta pranojmë më si të tillë”. Për të mbyllur këtë boshllëk ligjor penalizimi, në nivel ekspertësh po zhvillohen diskutime, thuhet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por aktualisht ky projektligj ende nuk është akorduar me sektorë të tjerë të ministrisë, prandaj është shumë herët të ofrohen të dhëna më konkrete. Po ashtu nuk dihet, nëse partitë e koalicionit do të binin në ujdi për një ligj të tillë, transmeton “DW”.

Tre të kartëtat e azilkërkuesve të refuzuar që duhet të largohen janë me leje të përkohshme, sepse kanë një identitet fallco apo shteti heq dorë nga dëbimi për arsye humanitare. Në Gjermani në fund të vitit 2018 ka pasur 180.124 vetë me leje të përkohshme të toleruar të qëndrimit.

40% e tyre nuk kanë dokumente, thuhet në përgjigjen që Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë i dha kërkesës së grupit parlamentar liberal, FDP

KOMENTE