Gjermanët e bëjnë me inventar shkollën “Selami Hallaqi”

Gjilan – (2LONLINE) – Shkolla fillore “Selami Hallaqi” është pajisur me tavolina dhe karrige nga donatori gjerman “For Children”. Johannes M. Muller, përfaqësues i donatorit, ka premtuar po ashtu sigurimin edhe të tabelave për secilën klasë. Drejtori i Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, ka thënë se investimi erdhi në momentin kur më së shumti i duhej kësaj shkolle.
Nevzati ka thënë se është zgjedhur shkolla ndër më të mirat në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë. “Ne përherë do të jemi falënderues, jo vetëm si drejtori, por edhe si Komunë, për këtë akt human dhe tepër të çmueshëm”, ka thënë ai, duke u falënderuar edhe në emër të kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa.

Me këto investime, Gjermania po ndihmon nxënësit tanë që të arrijnë suksese edhe më të mëdha në arsim, për të qenë konkret të dijes me nxënësit e botës së përparuar, ka thënë Nevzati.

Ndërsa, drejtori i shkollës, Ahmet Aliu, ka thënë se kjo është dhurata më e madhe që kanë marrë në këtë fillim të vitit, duke nënvizuar se deri më tani, shteti gjerman ka investuar këtu mbi 350 mijë euro. Donacioni i tashëm përmban 172 tavolina dhe 344 karrige, që mjaftojnë për të kompletuar dhjetë klasë të mësimit.

“Është kjo dhuratë ndër më të mirat që i bëhet shkollës sonë, pasi që kemi pasur shumë nevojë për ta zhvilluar procesin mësimor, sikundër që për çdo vit ne kemi qenë të gëzuar nga shteti gjerman me investime të ndryshme”, ka thënë ai, duke shtuar se tashmë nxënësit kanë kushte krejt ndryshe nga ato që i kishin deri dje.

Aliu ka premtuar se shkolla “Selami Hallaqi” do të jetë edhe në të ardhmen ndër më të mirat në Gjilan, ngase kushtet e nxënësve, për çdo ditë po përmirësohen, siç është edhe rasti i sotëm me këtë donacion. Tani shkolla ka nevojë të domosdoshme edhe për 21 tabela (dërrasa të zeza), që kushtojnë 90-100 euro, ka thënë Nevzati.

Johannes M. Muller, përfaqësues i firmës, tha se ndjehet shumë mirë që ka investuar në këtë shkollë, ku pas 40-viteve po ndërrohet inventari. Shumë më tepër ai ishte i gëzuar që ka marrë konfirmimin edhe për 21 tabela për klasat e kësaj shkolle, që do të vijnë menjëherë. Ai po ashtu tha se nëse ka ndonjë nevojë urgjente, përsëri do të investojnë vitin e ardhshëm këtu.

Kontribut të çmueshëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe Kushtrim Zubak, i cili ishte ndërmjetësues në këtë donacion të rëndësishëm për shkollën, ku më herët ishte nxënës. /2lonline/

KOMENTE