DYLON

Gjenerallejtënant Rrahman Rama mori pjesë në Konferencën e Shefave të Mbrojtjes në Gjermani

Gjenerallejtënant Rrahman Rama mori pjesë në Konferencën e Shefave të Mbrojtjes në Gjermani
Avatar photo Redaksia

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, mori pjesë në Konferencën e 27-të vjetore të shefave të Mbrojtjes, e cila u mbajt në Wiesbaden të Gjermanisë nga data 23-25 tetor 2019.

Në këtë konferencë morën pjesë mbi 37 shefa të Mbrojtjes të shteteve evropiane, anëtare të NATO-s dhe shtete partnere të Kosovës.

Konferenca e Shefave të Mbrojtjes u organizua nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe kishte për tematikë „Gatishmërinë Strategjike“, në kontekst të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së gatishmërisë kolektive bazuar në sfidat aktuale të sigurisë në botë.

EkoHigjiena

Po ashtu temë e kësaj konference ishte edhe ndërveprimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s si dhe aftësia për t’u adaptuar ndaj sfidave të sigurisë.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë konferencës zhvilloi takime me shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane gjeneralin James McConville dhe komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerallejtënant Christopher Cavoli, si dhe me homologë të shumtë të shteteve mike.

Komandanti i FSK-së, ndër të tjera në këtë konferencë ka thënë: „FSK-ja mbetet e përkushtuar në ndërtimin e aftësive të reja mbrojtëse sipas planit të tranzicionit, në mbështetje të plotë të partnerëve strategjikë, si dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve në të gjitha fushat me qëllim të ndërveprimit me partnerët strategjikë dhe me shtetet tjera partnere“.