/2L ONLINE/ – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, të premten ka organizuar një debat me temën: ”Kultura në Gjilan dhe sfidat e saja”, për të parë se cilat janë hapat pozitivë dhe ata sfidues që e kanë përcjellë këtë segment në veçanti jetën teatrore me qëllim të trajtimit të të gjitha të arriturave, vështirësive dhe sfidat që kanë këta sektorë në jetën kulturore dhe teatrore të Gjilanit. Në debat morën pjesë përfaqësues të jetës kulturore, aktorë, gazetarë, shoqëria civile dhe mediet.
Bujar Haziri u.d. në teatrin e qytetit tha se personalisht ai dhe kryetari i komunës Lutfi Haziri kanë bërë përpjekje maksimale që të jenë në funksion të aktorëve dhe zhvillimeve pozitive që ndodhin në jetën kulturore. “Mirë që po diskutojmë e debatojmë sepse po i shtjellojmë hallet tona në themel. Sfida ka pasur gjithmonë dhe do të ketë sërish. Teatri i qytetit ka punuar me tërë fuqinë që ka pasur dhe kemi korrur edhe rezultate dhe po kemi edhe suksese. Megjithatë aspekti juridik dhe mungesa e një kodi apo linje buxhetore po e determinon tërë punën tonë profesionale e njerëzore që po e bëjmë. Vet fakti që komuna është themeluese e teatrit, kjo na obligon dhe kemi sensibilizuar në të gjitha fushat problemin e teatrit. Nisur nga ky fakt mund të them se gjendja nuk është aq e keqe, por edhe aq e mirë jo. Secili prej nesh ka përgjegjësi individuale dhe duhet të jetë pjesë e këtyre përgjegjësive. Kryetari i komunës e ka mbështetur teatrin dhe kulturën në çdo cep e sferë” tha Haziri.
Avni Shkodra njëri nga aktorët më me zë që ka kërkuar tretman njerëzor për komunitetin e artistëve tha se komuna është e obliguar të krijojë kushte më të mira për aktorët. “Në vend të saj teatri i Gjilanit po e zvogëlon numrin e aktorëve dhe tani kemi edhe procesin e zgjedhjes së drejtorit të teatrit për çka mendojmë se do të jetë më fer dhe më transparentë” tha Shkodra.
Ai tha se në rastin e teatrit ose nuk po ka vullnet ose mos dije sepse teatri po ka probleme banale dhe aktorët po e humbin vullnetin. Shkodra tha tutje se ligji i ri për teatrot e obligon komunën e Gjilanit me i marr obligimet për teatrin. Ti sigurojë pagat për punëtorët. Vit për vit zvogëlohet numri i punëtorëve. Nevojitet kthimi i punëtorëve dhe të rritet stafi i aktorëve rezidentë, kërkoi ai.
Alban Shahiqi, aktor tha se vazhdimisht kanë kërkuar dhe kërkojnë trajtim më dinjitoz të teatrit. “Ne po e kryejmë punën si duhet dhe me ndershmëri japim edhe shfaqjet. Por kjo është e kot kur na mungon motivimi dhe paga e sigurt” tha Shahiqi. Ai tha se Teatri i qytetit është imazh i një qyteti. Prej paslufte teatri sikur shihet si për të ja gjetur një punë aktorit. Teatri është i qytetit, i publikut, pasqyron zhvillimin e qytetit. Duhet të ndahet buxheti për vjet dhe të kërkohet punë. Aktorët po sakrifikohen për me mbajt një teatër për të ardhmen. Gjilani qëndron mirë me aktorë profesional. Kemi kapacitet për me bo teatrin më të mirë në rajon. Aktorët duan zgjidhje të merren me punë të tyre e jo me çështje administrative. Thjesht, zgjidhja duhet qysh tani për vitin 2017, të jetë e gatshme që të bëhen gjërat e planifikuara, si buxheti si gjërat tjera, ka thënë ai.
Arzie Nuhiu nga PDK-ja tha se komuna nuk po u del në ndihmë aktorëve. “Aktorët nuk po paguhen si duhet dhe kjo për pasojë po e sjellë një dëshpërim ekstrem të aktorëve të cilët edhe po protestojnë. Komuna duhet t`ia kthejë namin teatrit” tha Nuhiu. Ajo tha se kultura është identifikim i një vendi, i komunës dhe se shkalla e zhvillimit të saj është tregues i shkallës së zhvillimit të komunës. Teatri ka pas vazhdimisht probleme, por jo të tilla dhe të përmasave që janë tani. “Ne kemi ngritur çështje për kulturën dhe teatrin, duhet zgjidhje e përhershme të problemeve në teatër. Shuarja e DKRS ka shkaktua një humbje të adresës, të adresimit të problemeve që kanë të bëjnë me kulturën dhe teatrin. Kemi qenë kundër shuarjes së kësaj drejtorie, sepse e kemi parë që është dëmtuar kultura, rinia e sporti, dhe ky pushtet e ka kuptuar se ka qenë dështim dhe për ta përmirësuar, ka marr iniciativë për ndryshime statutare për ta rikthyer drejtorinë në fjalë.
Sabedin Shahiqi , kryetari i Këshillit drejtues të teatrit me mbi 43 vite përvojë në teatër tha se ka pas përherë sfida por janë tejkaluar atëherë. Më parë ka qenë më mirë se sot, bile edhe financiarisht. Pas lufte kur të gjithë kemi menduar se do të jetë më mirë, përkundrazi ka dal të jetë me keq, tha ai.
Ligji aktual nuk është i mirë dhe beson në ndryshimin e saj. Megjithatë suksese ka pas, këtë vit, edhe pse në këtë kushte, ka pas shfaqje teatrale. “Edhe pse kemi pasur suksese me shfaqjet tona, edhe pse jemi paraqitur suksesshëm në çdo vend të rajonit, prapë aktorët kanë mbetur kategoria më e papërfillshme” tha Shahiqi. Ai ka vlerësuar edhe kryetarin e komunës që ka ndarë mjete.
Ai ka përmendur se do të ketë edhe konkurse për rritje ne trupës teatrale, fillimisht edhe për tre, e pastaj edhe për të tjerë. Ai ka folur edhe për konkursin për drejtor të teatrit, ku sipas tij pritet përzgjidhja. Kam shpresa që për vitin tjetër do të ketë mjete për tu shtuar stafi i trupës teatrale, ka thënë ai.
Bashkim Nexhipi pjesë e Task Forcës tha se Gjilani duhet të krenohet me njerëzit e kulturës. “Ky vit ishte viti më i mirë në historinë e teatrit dhe kur e krahasojmë Gjilanin me teatrot tjera ne jemi vërtet lule” u shpreh Nexhipi. Ai tha se Teatri edhe më shumë do të zhvillohet dhe do të funksionojë më mirë sepse përkrahja e njeriut të parë të komunës ekziston”. Ai tha se Gjilani ka vlera në të gjitha fushatat. Edhe ai tha se megjithatë buxheti e determinon zhvillimin dhe do të duhej që së paku të dyfishohet buxheti për kulturë. Aktorët duhet të trajtohen me dinjitet, të jenë në sistem pagash e jo me subvencione, tha ai.
Demir Krasniqi krijues ka ofruar një varg problemesh që e kanë përfshirë kulturën. Ai tha se Gjilanit i mungon kori, orkestra, një SHKA me përmasa qytetare. Një asambël autokton i Këngëve dhe Valleve dhe i instrumenteve autoktone. Mungon Festivale i muzikës tradicional i këngës popullor,e për fëmijë, i mungon juria e mirëfilltë profesionist në çdo lëmi duke përfshirë ngjarjet kulturore. Në drejtori dhe vende udhëheqëse të kulturës, nuk plotësohen me kuadro profesioniste, por plotësohen sa për sy e faqe. Strukturat kulturore nuk kanë bërë asgjë për figura të rëndësishme nga kultura.
Shaban Terziu, nga shoqëria civile tha se nuk ka pas nevojë me u shua DKRS-ja sepse është bërë një gabim, kjo po ndikon. Po flitet veç për teatër, por Gjilani ka edhe SHKA të cilat janë të suksesshme, kanë traditë, kanë përvojë duhet të mendohet edhe për ta. Sa i përket teatrit duhet kualitet dhe jo vetëm kuantitet tha Terziu.
Kujtim Shahiqi përgjegjës në kulturë tha se jo të gjithë mund të flasin për problemet e kulturës apo teatrit. “Kjo qeverisje e ka trajtuar drejtë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme problemin e aktorëve. Janë disa procedura juridike dhe buxhetore të cilat na janë shfaqur si pengesë e zhvillimit edhe më të hovshëm kulturor” tha Shahiqi.
Ai tha se kurrë nuk ka pas aktorë të pranuar rezidentë por vetëm janë pranuar me projekte. “Tani Task Forca ka bërë punë të mirë, janë pranuar 12 aktorë rezidentë. Udhëheqja komuna na është përgjigj përherë. Mbi 120 mijë euro është subvencionuar kultura. Në këtë periudhë kemi punuar dhe e kemi ngjallë këtë sferë. Tani problemi më i madh është stafi teknik, nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre juridik. Pa u shti teatri në vijën buxhetore, së paku 20 vetë, këto probleme do të jenë gjithmonë” tha Shahiqi.
Me diskutimet e tyre u paraqitën edhe Irfan Ukshini, Qazim Azizi etj. Debati është përkrahur nga Komuna e Gjilanit. /2L ONLINE/