Gjendja e përgjithshme shoqërore gjatë pushtimit serbo-jugosllav në komunën e Gjilanit (Gusht 1998 – Shkurt 1999) – (Pjesa e gjashtë)
Naim MUSLIU – 2LONLINE.com
Me zhvillimet luftarake, që gjithnjë e më shumë po zgjeroheshin nëpër Kosovë, edhe në Gjilan ndihej situata e përgjithshme, e cila gjithnjë e më shumë përkeqësohej. Nga gjendja e krijuar me postblloqe, arrestime, ftesa për biseda informative nga Sigurimi, orvatja përmes ushtrimeve dhe bartja e armëve para kalimtarëve, gjilanasve gjithnjë e më shumë iu shtua pasiguria nga pushtuesi serbo-jugosllav.
LEXO EDHE: (Pjesa e parë) – (Pjesa e dytë) – (Pjesa e tretë) (Pjesa e katërt) (Pjesa e pestë)
Sipas raportit të N/KLMDNJ në Gjilan, në burgun e Gjilanit po mbaheshin shumë shqiptarë me akuza nga Gjykata serbe e Qarkut në Gjilan për “veprimtari armiqësore dhe terrorizëm”. Përveç Abdullah Tahirit dhe Ahmet Demirit që organet serbo-jugosllave ua kishin vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj, me këtë akuzë ngarkoheshin edhe Ejup Salihu, Besnik Ismajli, Lulzim Osmani dhe Abaz Beqiri. Po ashtu, kishte edhe shumë të tjerë që gjykoheshin në mungesë. Me akuzë të njëjtë në burgun e Gjilanit mbaheshin edhe disa veprimtarë të tjerë shqiptarë nga komuna e Kamenicës.
Në anën tjetër, më 30 shtator 1998, në orën 06 e 15 minuta, ishte arrestuar edhe inxhinieri i kimisë, Xhevat Nevzati, i cili ishte nënkryetar i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” dhe veprimtar i Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjilan. Përveç Xhevat Nezirit ishin arrestuar edhe Ruzhdi Rashiti – kryetar i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” në Gjilan dhe Hetem Arifi – nënkryetar, si dhe dy vozitësit Riza Kçiku e Nazmi Rapuca. Nga inspektorët policorë ishin pyetur rreth veprimtarisë së Shoqatës dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Drenicë. Këta të arrestuar ishin akuzuar se ndihmat humanitare ishin të destinuara për UÇK-në dhe sipas inspektorëve ata po ndihmonin terrorizmin. Kështu, Riza Kçiku ishte liruar pas 24 orëve kurse të tjerëve iu caktua paraburgimi për 3 ditë duke ia vazhduar edhe 84 orë tjera dhe pas keqtrajtimeve fizike i kishin liruar në shtëpi.
Dhuna serbe ndaj popullsisë shqiptare rritej gjithnjë e më shumë. Kështu, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, pasi zhvilloi tri seanca më 5, 7 dhe 8 tetor të vitit 1998, trupi gjykues nën drejtimin e Stanislav Jovanoviq, shpalli aktgjykimin ku dënoi Abaz Beqirin nga fshati Sllatinë, të komunës së Vitisë me 4 vite burg, Besnik Ismajlin, nga Gjilani e dënoi me 3 vjet e 6 muaj burg dhe Lulzim Osmani nga Gjilani me 2 vjet burg për të mitur. Këta u dënuan sipas ligjeve jugosllave me akuzën për “Bashkim për veprimtari armiqësore”. Ata akuzoheshin se “kanë formuar grupin me qëllim të kryerjes së aksioneve terroriste dhe se janë nisur për t’iu bashkëngjitur UÇK-së”. (Vazhdon)