Gjendja e furnizimit me ujë në zonat e vërshuar, është normalizuar
/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) është informuar të premten për furnizimin me ujë të pijes në zonat e prekura nga vërshimet e para disa ditëve dhe ka konstatuar se gjendja nuk është shqetësuese. Jashar Jashari, kryesues i KSHMS, ka thënë se bazuar në informatën nga Zyra për Ujë, e cila e ka monitoruar gjendjen në terren, gjendja është normale, meqë me kohë janë marrë masat e veprimit për sigurimin e ujit të pijes përmes cisternave.
Përndryshe, Heset Mahmuti, zyrtar për ujë, ka thënë se pas reshjeve të 15 marsit të këtij viti, probleme ka pasur në fshatrat Nasalë e Uglar. Banorët e fshatit Nasalë, ku për shkak të daljes së lumit Morava nga shtrati i ti, ka pasur ndotje të bunarëve, janë furnizuar me ujë përmes cisternave, nga kompania “Hidromorava”.
Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për disa familje, të cilat banojnë përreth lumit Morava.
Edhe në Uglar ka pasur vërshime nga lumi Morava. Këtu, furnizimi me ujë të pijshëm është bërë nga lagjet fqinje, të cilët nuk janë prekur nga vërshimet.
Kurse në Pogragjë, nuk ka pasur dëme nga rritja e nivelit të lumit Morava dhe as ndotje të puseve.
“Ne si ekip nga DSHMS-ja u kemi dhënë rekomandime banorëve për masat e veprimit që duhet t`i ndërmarrin në këto raste, sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, deri te normalizimi i gjendjes. Momentalisht, gjendja është krejtësisht normale dhe popullata në këto lokacione është e informuar mirë se si të reagojë në këto situata”, ka thënë Mahmuti.
Agron Leka (PDK) tha se në kohë të reshjeve më të mëdha, gjendja duhet të monitorohet edhe në disa pjesë të qytetit, të cilat janë më të rrezikuar nga vërshimet, siç ka qenë për shumë vite edhe lagja Baja, ku është dashur të hyhet me çizme, por që tani e ka zgjidhur këtë problem.
Mirvete Kurteshi (VV) tha se është e domosdoshme të pastrohen nga mbeturinat shtretërit e lumenjve në qytet, sepse prej tyre rrezikohen disa shtëpi kur rritet niveli i ujërave.
Veton Uka (AAK) tha se ka qenë në vizita në këto tri lokacione, si pjesë e ekipit, por nuk kanë hasur raste të diarresë ose probleme tjera shëndetësore që kanë burimin nga ujërat e ndotur.
Ai ka kërkuar që t`i bëhen analizat ujit të çezmës afër Bajës së Dobërçanit, ku furnizohet një numër i madh i qytetarëve, për të vërtetuar nëse ai ujë është i pijshëm, përkatësisht nuk është i dëmshëm për disa organe trupore.
Uka ka thënë se ka edhe disa pika tjera të ujit ku qytetarët shkojnë për nevoja shëndetësore, por nuk dihet përbërja e tyre.
Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se ekipet komunale janë përgjigjur në të gjitha kërkesat nga terreni për ndihmë gjatë kohës së vërshimeve. Problemi më i madh ka qenë në zonat rurale, ka thënë ai.
Hajrullahu ka thënë se për disa ditë furnizimi me ujë të pijes është bërë me cisterna, ndërkohë që banorëve u janë dhënë udhëzimet e duhura si t`i pastrojnë puset.
Debatit për gjendjen e furnizimit me ujë të pijes në zonat e prekura nga vërshimet, i kanë kontribuar edhe Nexhat Halili (LDK), i cili ka kërkuar informacione për gjendjen momentale në këto zona, Fatbardha Selmani (PDK), e cila ka pyetur për gjendjen në shkolla dhe disa pjesë të qytetit dhe të tjerë. /2L ONLINE/
