DYLON

Gjashtë vite pa Dr. Feti Hetemin, Fondacioni që mban emrin e tij ndan tri bursa për studentët e mjekësisë

Gjashtë vite pa Dr. Feti Hetemin, Fondacioni që mban emrin e tij ndan tri bursa për studentët e mjekësisë
Avatar photo Redaksia

Në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta të mjekut dhe humanistit të njohur, Dr. Feti Hetemi, Fondacioni që mban emrin e tij ka ndarë tri bursa për studentë të mjekësisë nga rajoni i Anamoravës.

Përfitues të bursave këtë vit janë Shkëlqim Halili, Agnesa Shabani dhe Drilona Jerliu, të cilët do të mbështeten me nga 500 euro secili.

EkoHigjiena

Përzgjedhja e bursistëve është bërë pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara në kuadër të thirrjes publike për studentët e mjekësisë. Komisioni vlerësues i Fondacionit përbëhej nga Dr. Shelqesa Halili, Dr. Ardi Ademi dhe Dr. Valdrin Hetemi.

Kjo është hera e pestë që Fondacioni “Dr. Feti Hetemi” ndan bursa për studentët e programit të Mjekësisë që vijnë nga rajoni i Anamoravës, duke vazhduar kështu misionin për mbështetjen dhe përgatitjen e kuadrove të reja në shëndetësi.

Dr. Feti Hetemi, mjek i njohur nga Vitia, u nda nga jeta më 19 gusht 2020, si pasojë e COVID-19. Përveç profesionalizmit të dëshmuar në fushën e internos dhe nefrologjisë, ai kujtohet edhe për humanizmin, angazhimin shoqëror dhe kontributin e tij në shërbim të qytetarëve dhe të drejtave të popullit shqiptar.

Gjatë viteve ’90, Dr. Hetemi ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, përmes së cilës u mundësua funksionalizimi i ambulancave në disa fshatra të komunës, në një periudhë të vështirë për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Kontributi i tij në shëndetësi kishte nisur edhe më herët. Në vitet ’80, në cilësinë e delegatit të Kuvendit të Kosovës, Dr. Hetemi ishte ndër iniciatorët kryesorë për themelimin e Repartit të Hemodializës në Spitalin e Gjilanit.

Ai dha kontribut të rëndësishëm edhe gjatë luftës së UÇK-së, duke ndihmuar në trajtimin dhe përkujdesjen ndaj ushtarëve të plagosur.

Për veprimtarinë profesionale, humane dhe kombëtare, Dr. Feti Hetemi është dekoruar post-mortem nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Familja Hetemi, përmes Fondacionit të themeluar në kujtim të tij, vazhdon çdo vit të mbështesë studentët e mjekësisë, duke synuar që trashëgimia e Dr. Feti Hetemit të vazhdojë përmes brezave të rinj të profesionistëve shëndetësorë – profesion të cilit ai i kushtoi jetën dhe i shërbeu me përkushtim e vetëmohim.

BURIMI: info-plus.tv

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.