Këshilla – Nuk mjafton vetëm që të hani më pak ushqim nëse filloni një dietë. Ju duhet të ushtroheni si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht, duke eliminuar stresin dhe ankthin. E mbi të gjitha, mos u nisni me qëllimin për të “kënaqur” të tjerët me dobësimin tuaj
Arsyet se përse nuk arrini të dobësoheni mund të jenë nga më të ndryshmet, si të llojit psikologjik ashtu edhe fizik. Po, sepse për të humbur peshë, duhet një impenjim serioz dhe i vazhdueshëm, akoma më shumë nëse kilet që duhet të hiqni janë të shumta. Pra, përveç dietës dhe një aktiviteti të moderuar fizik, është e nevojshme të ndiqni disa këshilla të dobishme, të bazuara pikërisht tek arsyet që shpesh nuk ju lejojnë të dobësoheni në mënyrë efikase.
Nuk jeni gati psikologjikisht
Humbja e peshës, veçanërisht kur kilet janë të shumta, kërkon impenjim dhe qëndrueshmëri me kalimin e kohës. Nëse nuk jeni gati psikologjikisht, atëherë nuk do të arrini të merrni rezultatet e shpresuara. Në këtë këndvështrim, është e rëndësishme të keni edhe mbështetjen e familjarëve dhe të miqve, të cilët duhet t’ju inkurajojnë!
Dobësoheni për t’u bërë qejfin të tjerëve
Kur vendosni të ndiqni një dietë, në radhë të parë duhet ta bëni për veten tuaj! Sigurisht të tjerët mund edhe t’ju ndihmojnë, por e rëndësishme është që zgjedhja për të humbur peshë, të jetë mbi të gjitha personale.
Nuk jeni mjaftueshëm të durueshëm
Kushdo që nis një dietë mendon se mund të humbasë peshë shumë shpejt. Por në të vërtetë bëhet fjalë për një proces gradual, që shpesh parashikon edhe faza të ndryshme.
Për shembull, zakonisht, është e mundur të humbisni më shumë peshë në fillim të dietës sesa gjatë vazhdimit të saj. Kjo të paktën mund të ndodhë për dy arsye. Së pari, në fillim të dietës eliminohen më shumë lëngje sesa yndyrë. Së dyti, trupi ka tendencë të mësohet me një regjim të ri dietik (që për këtë duhet të konsultoheni nga një dietolog).
Shkoni në shtrat shumë vonë
Shtatë orë gjumë janë minimumi i orëve që duhet të bëjnë ata të cilët duan të dobësohen. Sipas disa studimeve, kilet e tepërta mund të varen edhe nga gjumi i pamjaftueshëm, përveçse nga metabolizmi i dobët dhe niveli i lartë i kortizolit (hormonit të stresit) dhe glicemisë.
Jeni shumë të stresuar
Sipas një studimi të “Ohio State University”, një femër ose mashkull i/e stresuar, ka tendencë të konsumojë më shumë sesa një individ që nuk është i stresuar, ndërsa djegin 104 kalori më pak, pas një vakti të bollshëm. Pra, një tjetër motiv i mirë për t’u dobësuar është eliminimi i ankthit dhe i stresit.
Nuk pini mjaftueshëm ujë
Përveç këshillave të sipërpërmendura, kur vendosni të humbni peshë, rekomandohet t’u drejtoheni specialistëve të sektorit, të cilët kombinojnë ushqimin me stilin e jetës dhe me moshën që ju keni. Mos harroni se, për t’u dobësuar duhet të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime, akoma më mirë nëse janë të freskëta, pasi ju garantojnë një nivel të mirë hidratimi.
Dhe më e rëndësishmja, ju këshillohet të pini të paktën një litër ujë në ditë. Ndryshe nga se mund të mendohet, mbajtja e ujit varet pikërisht nga mungesa e lëngjeve, të cilat e detyrojnë trupin të magazinojë ato pak të mbetura si rezervë. Për t’u dobësuar provoni edhe çajet bimore, të posaçme për dobësim, si dhe përfitimet që ju vijnë nga të ecurit.