Gjaku i djemve të Malësisë, gur themel i lirisë (III)
/Me rastin e përvjetorit të 16 të Sherif Jonuzit e Enver Bajramit dhe përvjetorit të 13 të Shaban Bajramit e Besim Xhemajlit/
Shkruan: Ismet Tafili
Shabani, Sherifi Enveri e Besimi, dëshmorë të ardhshëm, deri sa dëgjonin mësimet nga mësimdhënësit e tyre, në shkollën e mesme në Rogaçicë, shpesh mendja u fluturonte në male e te tregimet që kishin dëgjuar për trimat, për ndonjë ngjarje që flitej për luftën për liri të Kosovës e Shqipërisë.
Në këtë shkollë krijuan shokë, miq përkrahës të shumtë, jo për lojën e futbollit apo çapkënllëqet rinore, po për sjelljet e tyre dinjitoze, të kulturuara, për guximin që kishin në mbrojtjen e të drejtave të nxënësve në shkollë, në mbrojtjen e atyre që nëpërkëmbeshin që nuk kishin krah, sikurse kritikonin dhe shfaqnin hapur kundërshtimin për padrejtësitë që i bëheshin shqiptarëve kudo e edhe në arsim. Ishin të dashur për prindër e për shokë, por të ashpër për armikun.
Afria e madhe me të përndjekurit, me atdhetarët, jo vetëm nga fshati i tyre, por edhe me gjerë, përfshirja e tyre qysh nga shkolla fillore në rrjedhat e këtyre miqve e shokëve që ishin më të mëdhenj nga mosha e tyre, nuk kishte mundësi që në shkollën e mesme të mos forcohet edhe më shumë atdhedashuria në një anë e urrejtja për armikun në anën tjetër.
Pra, shkollimi i mesëm në Rogaçicë (komuna e Dardanës), ashtu si edhe shumë të tjerëve, u krijuan mundësi të reja dhe të mëdha për të t’u kalitur për aktivitete kombëtare-politike në një nivel më të organizuar.
Pas daljes nga burgu të babait, Faikut, (fundi i vitit 1989), në shtëpinë e Sherifit vinin shokët e babait të tij, atdhetarë nga Breznica e nga anë të ndryshme të Kosovës si: Emin Krasniqi, Ramadan e Bajram Dërmaku, Begzad Sinani, Sali Mala, Ali Hoxha, Shefik Sadiku, Qemal Kastrati, Reshat Sadiku, Njazi e Sejdulla Kadriu etj. etj., por edhe Faiku shkonte te këta e shokë tjerë. Shpesh e merrte edhe Sherifin me vete. Bile te Emin Krasniqi kishte bujtur disa herë. Në këto ndeja e vizita, gjithmonë ishte biseduar për padrejtësitë e pushtetit serb që bëheshin mbi shqiptarët, për luftërat, trimëritë e dëshmorëve e heronjve shqiptarë e në përgjithësi për përpjekjet e popullit shqiptar për t’u çliruar nga zgjedha e pushtetit serbo sllav. Po ashtu përgatiteshin dhe organizoheshin veprimtari atdhetare.
Të gjitha këto kishin ndikuar që ai të marrë rrugën e duhur, rrugën që do ta ndjek gjatë tërë jetës së tij deri në sublimim.
Në vitet kur në tërë Kosovën zhvilloheshin protesta kundër diskriminimit të shqiptarëve, përkatësisht kundër pushtuesit serb, ata ishin pjesë e çdo proteste që zhvilloheshin në Gjilan e Dardanë (Kamenicë). Ata shkonin edhe në këmbë. Nuk mund t’i ndalnin as serbët e Domorocit, që ua prisnin urën e drurit duke i provokuar e duke i hedhur në ujë. Ata ashtu të lagur, shkonin ndër të parët në demonstrata.
Këta e përjetuan rëndë çizmen serbe dhe urrejtja rritej si orteku ndaj këtij regjimi. Duke i parë ngjarjet se si zhvilloheshin dhe duke parë se mu tani ishte momenti, kur çdo shqiptar duhet të jepte diçka nga vetja për tokën që i kishte rritur, ende pa e shijuar jetën e rinisë, i dorëzuan jetët e tyre atdheut.
Kështu siç e shohim, Sherifi, Shabani, Enveri e Besimi ishin fëmijë të oxhaqeve atdhetare, dhe gjithçka që ndodhi më vonë, kur u përcaktuan të jenë në shërbim të çështjes kombëtare, nuk ishte rastësi!
Sherif Jonuzi shkollimn e vazhdon duke u regjistruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan. Si student ishte i dalluar në mësime.
Ai banonte te Xhelal Jonuzi, ku pati rastin të takohet me shokë atdhetarë që vinin aty. Njohja me ta, pastaj me shokët e Shkollës së Lartë dhe shpirti i tij prej atdhetari, bëri që veprimtarinë atdhetare ta vazhdojë më me ngulm. Posaçërisht, në shkollë të Lartë bashkëpunoi me atdhetarin Myzafer Hysenin. Kjo njohje e re e kanalizon edhe më shumë e më mirë për veprime ilegale dhe të hapura, por edhe kërkonte disiplinë konspiracion, guxim, trimëri e sakrificë. Po a nuk i kishte këto virtyte ky? Gjithsesi se po, dhe për këtë arsye edhe ishte tepër i nevojshëm për atdheun, sikurse edhe atdheu që e kërkonte veprimtarinë e tij dhe të shokëve të tij.
Ishte shumë konspirativ, sa që as prindërve të tij nuk u tregonte. Ashtu kishte vepruar edhe Enveri e të tjerët. Bacë Faiku e bacë Rasimi thonë se: “as ne nuk e kemi ditë. Vetëm pasi kanë dal në mal, e posaçërisht pas vdekjes së tyre, i kemi kuptuar disa nga veprimtaritë e tyre të mëhershme. Ka qenë vështirë me e ditë organizimin e tyre. Ata nuk tregonin”…
-VAZHDON-
Lexo edhe: PJESA E PARË
PJESA E DYTË
