Gjaku i djemve të Malësisë, gur themel i lirisë (II)
/Me rastin e përvjetorit të 16 të Sherif Jonuzit e Enver Bajramit dhe përvjetorit të 13 të Shaban Bajramit e Besim Xhemajlit/
Shkruan: Ismet Tafili
/2L ONLINE/ – Korbzinjtë silleshin mi shtëpinë e familjes së Faikut, Rasimit e Zitit, por shqiponjat ishin aty për ta mbrojtur si gjithmonë qiellin e tyre nga zullumet e grabitqarëve. Shqiponjat edhe pse më pak, ata s’kishin ku të shkonin, mbronin çerdhet e tyre, zogjtë e tyre. Ata nëse ishte nevoja edhe vdisnin për ta mbrojtur çerdhen dhe fëmijët.
Babain e Rasimit, (Asllanin) pushteti i “kralevinës” së Serbisë e kishte pasur në shënjestër, nuk e lente rehat asnjëherë, duke e bastisur, kohë e pa kohë, duke e maltretuar e marrë pasurinë, sikurse duke e dërguar shumë shpesh në ushtrime, kinse ushtarake. Edhe pse gjuha zyrtare ishte serbishtja ai kurrë nuk e kishte mësuar këtë gjuhë. Rasimi, kur ishte i vogël dhe nuk i kuptonte ende gjërat e pyeste shpesh babanë: “pse baba nuk e ke mësuar gjuhën serbe”. Ai ia kthente: ”çka m’duhet ajo gu” (gju).
Edhe Rasimi kishte qenë gjithmonë në shënjestër të pushteteve serbo-sllave. Ishte një familje që brez pas brezi i kishte qëndruar karshi pushteteve antishqiptare.
Shtëpia e Faikut dhe e Rasimit, shokëve, miqve të tyre e bashkëveprimtarëve ishte një shkollë e atdhetarisë. Aty flitej, e tregoheshin të bëmat e heronjve, dëshmorëve, e luftërave për liri të moteve të mëdha për mbrojtjen e tokave shqiptare ndër shekuj.
Flitej për qëndresën e burrave shqiptarë në burgjet e armikut, për trimëritë e djemve e vajzave shqiptare të çdo periudhe historike. Flitej për luftërat e Mbrojtjes së Kufirit kombëtar që ishte zhvilluar përgjatë kufirit veri-lindor të Shqipërisë Etnike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kishin mësuar për luftërat e Mulla Idrizit, Sylë Zarbicës, Muharrem Fejzës, Lam Breznicës etj. Po ashtu kishin dëgjuar për veprimtarinë atdhetare dhe sakrificat e mëdha të Metush Krasniqit, Adem Demaçit, Rexhep Malës e Nuhi Berishs, Kadri Zekës, Isa Kastratit, Sejdi Kryeziut, Sadri Misinit (Shipashnica), Emin Krasniqit etj. etj.
Këta heronj të heshtur të Kombit, Sherif Jonuzi, Enver e Shaban Bajrami dhe Besim Xhemaili ashtu si edhe shumë pjestarë të popullit tonë, dashurinë ndaj popullit e Atdheut, përveç nga familja e rrethi ku jetonin, i morën edhe nga literatura kombëtare që u binte në dorë e sjellur nga jashtë, të cilën pastaj e merrnin nga shokët më të vjetër, si Ramiz Arifi, Saçip Zymberi, Ramadan Dërmaku e ndonjë tjetri që ishin në lidhje. E më së shumti u kishte kalitur shpirtin e trupin edhe përballja e familjeve të tyre me pushtetin sllavo-serb.
Kishin përjetuar burgosjen e baballarëve, të afërmeve, të dashurve të tyre, shokëve të tyre e bashkëveprimtarëve. Ishte pesëvjeçar Sherifi, kur shkonte ta vizitonte babain e tij Faikun, në burgun e Nishit, së bashku me xha Limanin (babain e Ahmet Isufit), gjyshen, hallen dhe vëllezërit e tij. Ai nga dashuria e malli për babain, duke kaluar nën tavolinë shkonte e i ulej atij në prehër, por gardianet nuk e lejonin këtë, sikurse i detyronin familjarët të presin me orë të tëra për t’u takuar me më të dashurit e tyre. Ata, edhe fëmijët i shikonin me përbuzje. Këto e maltretime tjera, kishin mbjell urrejtjen ndaj këtyre njerëzve me uniforma të huaja.
Baca Rasim na rrëfen se – “një afri të madhe fëmijët tanë e kishin me Saçip Zymberin një veprimtar dhe atdhetar i devotshëm edhe ky jo i ekspozuar, sikurse edhe me Ramiz Arifin (Kolën). Ata u mësonin dhe u tregonin gjithçka për luftërat, për aktivitetet që duhet bërë në të ardhmen për t’u çliruar nga pushteti serb. Edhe materialet, Saçipi, i lente në shtëpinë tonë.”
Ai, (Saçipi) qysh kur ishin të vegjël fëmijët tanë, i aktivizonte me disa veprime të vogla, që ndoshta, dukeshin në shikim të parë të thjeshta, por ato ishin shkëndijat e para të përgatitjes e kalitjes së tyre. P. sh., organizonte gara vrapimi me ta dhe u jepte edhe shpërblime. Dhe cilido që fitonte, ai u thoshte se ftoi, Enveri, Enveri me zë të lartë.
Sherifi, Enveri, Shabani e ndonjë tjetër duke u shoqëruar me bashkatdhetarë më të rritur, si Saçipi, Ramizi e ndonjë tjetër, kryen edhe shkollën fillore, në Breznicë duke qenë shembull në mësime e sjellje. Ata mësuan, sa nga mësuesit sa edhe nga këta, shumë histori e gjëra që nuk i kishin dëgjuar, ndoshta, nxënësit e tjerë.
Shpirti i tyre kryengritës ndaj pushtetit serb, te këta djem të ri, manifestohej edhe me ndonjë veprim të kohëpaskohshëm, që sado i vogël dukej në shikim të parë, ishte domethënës e përcaktues për rrugën e tyre atdhetare që do ta marrin deri në përjetësi. P.sh., njëherë në fshat kishte ardhur me makinë edhe një bashkëpunëtor i Serbisë. Këta djem, nga inati ia kishin shpuar gomat e makinës. Ai dasmori, i padëshiruar, kish pas thënë: “këtë ma kanë bërë vetëm djemtë e Rasimit”.
Po ashtu kur kish pas ardhur Ramadan Sërmaxha (punëtor i sigurimit shtetëror jugosllav) të vizitojë një të afërm të tij në Breznicë më 1991, Shefik Arifi me disa shokë ia kishin thyer makinën me gurë.
Rreth viteve 1990/91, ata kishin ndërtuar edhe një bunker në përrua në të cilin kishin vendosur foto të atdhetarëve, sikurse mendonin se një ditë do t’u hyjë në punë më shumë. Bile hyrjen në të nga një anë e kishin rregulluar me litar.
Sadik Arifi na tregon se kur ishte vëllai im në shkollë të mesme, së bashku me Enverin, Sherifin, Shabanin e Jetonin, kishin organizuar që, nga shkolla ta largojnë foton e Titos, sikurse edhe flamurin jugosllav që qëndronte i varur në objektin e shkollës. Vjedhurazi, një natë, pa i vërejt askush, kishin hyrë në oborrin shkollës. Enveri, si trupshkurtër që ishte, mezi e kishte kap flamurin. Ngaqë ishte i lehtë, edhe pse ishte kacavjerrë në flamur, nuk kishte arrit ta hedh në tokë. E kishte ftuar Shefik Arifin që ta tërheqë nga këmbët në mënyrë që ta shqyejnë. Dhe ashtu së bashku kishin arritur ta heqin flamurin dhe të largohen pa u hetuar. Askush nga pushteti, në atë kohë nuk arriti ta mësojnë se kush e largoi flamurin, sepse ata e mbajtën fjalën dhe nuk treguan kurrë.
Për këtë rast shkruan edhe Halim Hasani në librin e tij “Yjet e Lirisë: “Që nga fëmijëria në shpirtin e tij u vërejt një ndjenjë e urrejtjes anti –jugosllave. Ndërsa si nxënës i shkollës në Roganë e dogji flamurin jugosllav, kurse nga muri i shkollës hoqi të gjitha fotot e Titos” .
Pra, këto e rrëfimet për bashkëfshatarin e tyre, Lam Breznica, pastaj, rrëfime tjera për trimëritë e shqiptarëve kudër pushtuesit, skenat maltretuese që i kishin parë vet, padrejtësitë, rrahjet, burgosjet shantazhet, ndjekjet etj. në shpirtrat e tyre ishte mbjellë urrejtja për armikun, deri te vendimi i tyre i marrë, se edhe ne do të luftojmë me të gjitha format; për liri, për vatan për dinjitet e bashkim kombëtar.
Duke i parë Lam Breznica këto virtyte të larta të këtyre djemve, në një bisedë me Rasimin, derisa zhvillohej lufta në Kosovë dhe kur djemtë e tij ishin bërë tashmë pjesë e luftës, në një rast i thotë: “Rasim e kam ditë se ka me dal një trim prej derës tane”, (e kishte fjalën për Enverin)…
-VAZHDON-
Lexo edhe: PJESA E PARË
