DYLON

Gjaku i djemve të Malësisë, gur themel i lirisë (I)

Avatar photo Redaksia

/Me rastin e përvjetorit të 16 të Sherif Jonuzit e Enver Bajramit dhe përvjetorit të 13 të Shaban Bajramit e Besim Xhemajlit/

Shkruan: Ismet Tafili

EkoHigjiena

/2L ONLINE/ – Nëna tokë e Dardanisë, djemtë e saj trima, i rriti me qumështin e bekuar nga perëndia. I rriti me bukën e tokës Dardane, i brumosi me ndjenjën e lirisë, me krenarinë e maleve të papërkulura, me dashurinë për atdheun e vendlindjen, me gatishmërinë që ta japin gjakun për lirinë e saj.

Vargmalet valë -valë, të krijuara nga Perëndia, u bën istikame të trimave të Malësisë së Bujanocit gjatë gjithë kohërave që prej kur krijoi tokën. Ajo e dinte se në këtë tokë të pasur do t’ia mësyjnë shumë armiqtë, por e dinte se bijtë e saj, që ua kishte mbushur gjakun e eshtrat me frymën e lirisë, nuk i durojnë të huajt dhe u kishte dal në ndihmë edhe duke krijuar vargmalet jo vetëm për istikame, por edhe ua kishte bërë djep, shtrat, bukë e mbulojë.

Dhe që prej mësymjeve romake, sllave, turke, bullgare e serbe; ilirët, dardanët, arbrit e shqiptarët nuk i lëshuan këto troje, por edhe kjo tokë nuk i braktisi bijtë e vet, sepse kishte marrë amanetin e gjakut të dëshmorëve iliro- dardano –arbresho- shqiptarë, që asnjëherë në këto troje të mos lejohen të shkelin armiqtë. Këtë premtim toka e mbajti. E mbajti, sepse sa herë që trimat binin e derdhej gjaku i tyre, ajo përsëri i ngjallte si Anteu edhe 10 herë më shumë, dhe gjithmonë si në bibël e kuran i bënte të ri, i bënte edhe më të fortë i bënte të pavdekshëm dhe kështu përsëritej historia, kështu ishte gjeneratë pas gjenerate. Dhe në gjithë këto, shekuj e dekada u ruajt shqipja, u ruajt trimëria, u nderua gjaku i derdhur i trimave, u ruajt shpirti i lirisë. Këto tipare, këto tradita, kjo trimëri, sakrificë e amanet u bartë edhe te djemtë e ri, Enveri, Sherifi, Shabani e Besimi të fshatit Breznicë, pjesë e tokës Dardane.

Sherif Jonuzi u lind më, 28. 12. 1978 nga babai Faiku e nëna Hamide.
Shaban Bajrami u lind më, 29. 09. 1974. nga babai Rasimi dhe nëna Imrije
Enver Bajrami u lind më, 30. 09. 1976 nga babai Rasimi dhe nëna Imrije
Besim Xhemaili u lind më, 01. 09. 1973 nga babai Begzadi e nëna Shukrije

Kosova kishte rrezik që të zihej në vorbën e kasapit të Ballkanit, të zihej e të digjej e tëra, kështu e kishte përgatitur pushteti gjakpirës i shqiptarëve, Sllobodan Millosheviqi. Por a do ta linin djemtë saj të ndodhte kjo? Jo kurrë, kurrë, sepse nuk i kishte mësuar nëna shqiptare të përkuleshin para armikut, nuk ishin edukuar dhe nuk e kishin në traditë të linin nënat pa mbrojtje. Zëri i lirisë i ardhur nga nëntoka prej mijëvjeçarëve e shekujve, nga Agroni, Genti, Teuta, Batua, Skënderbeu, Ismajl Qemajli, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci etj. thërriste liri, liri. Dhe si mos t’i dëgjonin këta trima thirrjet e tyre. Do të shkonin në ferr pa vdekur për nënën, do të shkonin në ferr pa derdhur gjakun për liri, do t’i përpinte toka e nuk do të përmendeshin më kurrë. Vetëm rënia për atdhe për ta kishte kuptim.

Jehonës së kushtrimit të Kosovës, për mbrojte të Atdheut lirisë, dinjitetit, moralit e shqiptarizmës, djelmoshat me zemër titaniku e të prirë nga Ylli i Lirisë, ia bashkëngjitën fuqishëm, pushkën e ruajtur me dekada. Pra, ky moment, për t’u dëgjuar pushka e tyre e lirisë, kishte ardhur. Ai çast i gëzuar për ta kishte ardhur, ajo orë e bekuar kishte ardhur.

Andaj ngritën grushtet, ngjeshën armët dhe u betuan, se pa vdekur ne, armiku këtej nuk do të kalojë. Dhe ashtu u bë, ashtu ndodhi.

Kosova u çlirua nga një luftë shumë e pabarabartë me armikun, nga fuqia e zemrave të pamposhtura të trimave nga gjaku e pushkët e djemve të Dardanisë dhe nga ndihma e miqve të botës demokratike perëndimore.

Në pjesët e tokës në verilindje të Dardanisë vazhdonte të mbisundonte terri. Nga çizmja e armikut, rënkonte toka, qante mali, bilbilit iu kishte ndal kënga, lulet ishin vyshkur e bimët ishin tharë. Po a mund të duronin trimat rënkimin e tokës, lotët e malit, vyshkjen e luleve e heshtjen e bilbilit?

Jo, jo kurrë u thoshte zemra.

Ata pushkët i kishin ende të ngrohta, gjokset prush e amanetin peng. Andaj pushkët nuk i lan të ftohen, zjarrin e gjoksit nuk e lan të shuhet, sepse amaneti duhej dërguar në vend.

Breznica rrëzë maleve të Ushit, është një fshat i vogël, që shtrihet në një luginë të ngushtë me toka e livadhe të pakta, por të begata që i përshkon një lum i vogël si një gjarpër. Në lindje të saj ngrihen disa kodrina të pasura me pyje jo të larta. Breznica me rrethinë, është vend që ka një histori të lashtë trimërie, histori të bijve të papërkulur para armikut, të gatshëm të vdisnin në çdo çast për shtëpinë, për aromën e tokës, për nderin e familjes, për flamurin kuq e zi. Vend i tregimeve për trimëritë e Mujës e Halilit, për zanat që u ndihmonin trimave për ta luftuar të keqen, vend ku breznitë kishin përcjellë trimëritë e dëshmorëve e atdhetareve tek gjeneratat e reja.

Breznica pjesë e Malësisë së Bujanocit, e njohur për trimat që i ka nxjerrë gjatë gjithë historisë së saj. Pa u futur thellë në periudhat historike vlen të përmendet Lam Breznica që “ngjalli” Gjergj Elez Alinë. Ai në betejën e Ushit në 18 tetor 1944, ku e kishte humbur edhe vëllain Hasanin, i doli në dyluftim një çetniku të brigadave çetnike –komuniste, i cili i kishte kërkuar mejdan, duke menduar se s’ka djalë shqiptari që i del përpara. Lami, pa hezitim i pari i doli përballë dhe pa i u trembur syri e me një shpejtësi prej rrufeje e vrau luftëtarin serb.

Mirëpo rrethanat ndërkombëtare u krijuan në atë mënyrë që shihej qartë se komunizmi do të fitoi. Në pamundësi më, që t’i bëjnë ballë kësaj lukunie, Lami me 14 shokë bashkëluftëtarë të Gjon Sereçit , vazhduan luftën dhe nuk u pajtuan asnjëherë me regjimin komunist –jugosllav deri sa në pranverën e 1947-tës burgoset dhe dënohet (Lam Breznica) me 11 vjet burg. Nuk kishte se si mos të flitej edhe për trimëritë e trimave tjerë të Malësisë së Bujanocit si: Sylë Zarbica, Ilaz Selimi-Doktori, Njazi Kadriu etj. etj.

Pra, Breznica me rrethinë ishte vendi ku pushteti serbo – sllav në vazhdimësi burgosi shumë atdhetarë, por që ata asnjëherë nuk u dorëzuan para shantazheve, kërcënimeve e vdekjes që mund t’u vinte në çdo minutë. Ndër ta ishin edhe Faik Jonuzi, Ramiz Arifi, Saçip Zymberi, më vonë Rasim Bajrami etj.

Dhe kështu, me të gjitha këto të bëma, këto tregime e luftëra të zhvilluara u rritën edhe Sherif Jonuzi, Enver e Shaban Bajrami dhe Besim Xhemaili….

-VAZHDON-