GIZ certifikon mësimdhënësit e Gjilanit
/2L ONLINE/ – Në Gjilan sot janë ndarë certifikata për mësimdhënësit e klasave 1-5, me fokus kryesisht në lëndën e matematikës dhe lëndëve të fushës së shkencave natyrore.
Të gjitha shkollat kishin mësimdhënësit e tyre në këtë trajnim, me qëllim të ndryshimit të gjendjes dhe cilësisë në arsim si dhe angazhim konkret në përmirësim të rezultateve për nxënësit e shkollave të Komunës së Gjilanit.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se puna dhe përkushtimi për arsimin gjilanas janë të pandërprera, me angazhimin për rritje të cilësisë, ndërsa trajnimi dhe fokusi për lëndët e shkencave natyrore, janë përherë nevojë e perfeksionimit.
“Duhet të bëjmë vazhdimisht punë në këtë drejtim. Cilësia në arsim është prioritet i këtij viti. Rezultatet e nxënësve tanë përherë e më tepër po shënojnë rritje të fuqishme nëpër të gjitha matjet e bëra. Ky trajnim i mbajtur për mësimdhënësit, është domosdoshmëri, sepse kështu avancohemi me kontroll të vazhdueshëm. Falë trajnimeve të organizuara nga GIZ dhe të implementuar nga CDBE (Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë), rezultatet po shihen mënjëherë në matjet e fëmijëve në garat lokale, shtetwrore dhe ndërkombëtare”, ka thënë, drejtori Nazmi Musa.
Ndërsa nga ana e saj përfaqësuesja e GIZ-it, Dagmar Fuchs, ka thënë se angazhimi dhe puna me arsimin në përgjithësi në Gjilan, është në nivelin e tillë që shënon vetëm rezultate të prekshme dhe gjithnjë impresionuese.
“Kishim një gjendje tjetër dhe kemi një tjetër sot, sa i përket nivelit të arsimit. Kur krahasojmë pasqyrën e rezultateve që kishim më parë dhe ato që kemi pas trajnimit shohim ndryshime jashtëzakonisht impresionuese. Do të angazhohemi gjithnjë dhe do të mbetemi të lidhur ngusht me Gjilanin edhe gjatë të ardhmes”, ka thënë në fjalën e saj Fuchs.
Në fund, drejtori i DKA-së ka ndarë mirënjohje zonjës Fuchs në shenjë falënderimi për kontributin që ka dhënë GIZ në organizimine trajnimeve të mësimdhënësve si dhe përkushtimin e vazhdueshëm për ngritjen e cilësisë së arsimit. /2L ONLINE/
