Donika Gërvalla po vazhdon të jetë aktive në rrjetet sociale dhe e zëshme kundër kandidaturës së Ramush Haradinajt për kryeministër. Donika ka përshëndetur deklarimin e Armend Zemajt, i cili tha se nuk e voton as Hashim Thaçin dhe as Ramush Haradinajn për Kryeministër.
Ajo ka thënë se jo vetëm Armendi por edhe shumë deputetët të tjera dhe udhëheqës të Degëve të LDK-së mendojnë se kësaj partie i takon e drejta për të udhëhequr me Qeverinë.
“Shumë të tjerë, si brenda grupit parlamentar, ashtu edhe nëpër degë, do të dijnë të frenojnë vrullin drejt greminës..”, ka shkruar Donika.
Lexojeni të plotë reagimin e Donika Gërvallës
Guximi për të thënë të vërtetën
Nganjëherë nevojitet guxim për ta thënë të vërtetën. Edhe atëherë, kur ajo dihet nga të gjithë. Por guximi nevojitet sidomos atëherë kur ndodhesh mes frikacakësh, të cilët – pavarësisht se çfarë emrash kanë dhe nga cilat familje vijnë – nga mungesa e guximit shndërrohen në maska të zbrazëta dhe luajnë një teatër absurd, të cilin duan ta quajnë politikë.
Armend Zemaj dëshmoi guximin e tij dhe e shprehu një të vërtetë të kthjellët: nuk duhet të vijë në pushtet as njëra shtyllë e krimit. Në vend të zgjatjes së mundësisë për zhvatjen e shtetit, rritjen e korrupsionit dhe turpit për Kosovën, duhet guxim për të rikthyer dinjitetin dhe diturinë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka udhëhequr politikën kosovare me guxim, nder dhe dinjitet dhe votuesit e saj besnik presin që ajo t’i kthejë këto vlera në skenën politike. Janë lodhur duke i shikuar maskat, të cilat e keqpërdorin këtë moral duke e përmendur në njërën anë me fjalë dhe duke e shkelur në anën tjetër me këmbë me veprat e tyre.
Si deputet i LDK-së, i zgjedhur me votë të lirë, Armendi bëri një hap të guximshmëm për një fillim të ri në këtë lëmsh politik. Kjo nuk do të ketë qenë e thjeshtë për të dhe prandaj ky hap meriton respekt. Por ai nuk është vetëm. Shumë të tjerë, si brenda grupit parlamentar, ashtu edhe nëpër degë, do të dijnë të frenojnë vrullin drejt greminës.
Maskat në krye nuk mund të jenë më të sigurta. Fjalët boshe të deklaratave të tyre e bëjnë gjendjen gjithnjë e më të turpshme. Gjatë ditëve të ardhshme do të përjetojmë, se si armiqtë e së vërtetës, të cilët janë njëkohësisht ata që e rropën shtetin tonë të ri, do të përpiqen të sigurojnë fortesat e tyre: me energji të paparë do t’i sulmojnë ata që nuk duan ta heshtin të vërtetën. Sulmet do të jenë aq të shëmtuara saqë përsëri do të na e çojnë gërdinë të gjithëve. Por e vërteta nuk mund të lihet pa thënë, sado i lartë të jetë çmimi.
Jemi mësuar në të kaluarën me këto forma dhe po i shohim edhe sot në Rusinë e Putinit dhe në demokraturat e tjera anembanë. Jo vetëm atje, por edhe tek ne keqpërdoret pushteti, çdo ditë. Një gjë është e qartë: sa më shpejt t’ua heqim maskat këtyre figurave, aq më shpejt do të shërohet Kosova.
Ilaçi i vetëm është e vërteta. Pa dalë nga gënjeshtra nuk do të mund ta largojmë kancerin e korrupsionit dhe kriminalitetit që e ka mbërthyer Kosovën. Ky kancer rrezikon ta shkatërrojë vendin tonë. Kosova është e infektuar prej disa kohësh nga ky virus, i cili vetëm sa po tërbohet edhe më shumë. Jo vetëm shfaqjet e shëmtuara të fanatizmit islamik janë pjellë e këtij virusi shkatërrues. Ne mund të çlirohemi, por këtë çlirim mund ta bëjmë vetëm ne. Jo të tjerët për ne, por ne për veten – nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet dhe nga oda në odë.
Të gjithë ata që janë të kënaqur me realitetin në Kosovë, i ftoj ta harrojnë këtë shënim timin sa më shpejt. Të gjithë të tjerët i pyes: Çfarë po na pengon të ngrihemi në këmbë për të vërtetën dhe të hapim një kapitull të ri për Kosovën? Hera e kaluar, kur vendosëm të ndahemi nga gënjeshtra dhe të vendosim vet për fatin tonë, çoi në lindjen e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.