DYLON

Gërmovasit mbështesin strategjinë për zhvillim të fshatit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Banorët e fshatit Gërmovë të Vitisë, janë shprehur të gatshëm që të mbështesin iniciativën e OJQ Elita si dhe institucioneve komunale për hartimin e strategjisë për zhvillim të fshatit.

Ata gjatë një takimi të përbashkët me përfaqësuesit e institucioneve komunale,kanë thënë se ky dokument ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e fshatit, pasi pos që përcakton prioritetet për investimet në fshat, mundëson edhe prezantimin e fshatit para donatorëve apo investitorëve të ndryshëm.
Mentor Rexhepi, përfaqësues i OJQ Elita, ka thënë se kjo organizatë ka gjet përkrahjen e fuqishme të komunës që çdo lokalitet të komunës së Vitisë, ta bëjë me një strategji për pesë vitet e ardhshme , ku qartë përcaktohen potencialet si dhe objektivat zhvillimore të këtyre lokaliteteve.

EkoHigjiena

Ai këto strategji i sheh si një mundësi shtesë që qytetarët të përfitojnë projekte që janë në interes të zhvillimit të lokalitetit të tyre. Kurse, Zekirja Zuka, këshilltarë i Kuvendit Komunal, ka theksuar se është në interes të vetë qytetarëve të Gërmovës, që të punojnë seriozisht në hartimin e strategjisë për zhvillim të fshatit, pasi ky dokument është në të mirën e vetë atyre.

Ai ka theksuar se Kuvendi Komunal, mbështet iniciativat që vijnë nga lokalitetet e ndryshme, por për të shtyrë këto iniciativa përpara duhet një seriozitet në radhë të parë i vetë qytetarëve të atij lokaliteti.

E, Nexhat Arapi, shef i zyrës për zhvillim ekonomik, ka thënë se komuna mbështet prioritetet që dalin nga fshatrat, por edhe vetë qytetarët duhet të kenë parasysh se buxheti është tejet i limituar.

“Institucionet komunale janë të interesuara që shpërndarja e projekteve të jetë në vijë proporcionale, prandaj identifikimi dhe prioritizimi i tyre mundëson që komuna të ketë më të qartë se ku duhet të orientoi investimet nga buxheti që dedikohet për investime kapitale”, ka thënë Arapi.

Kurse, Tahir Lubishtani, zyrtar komunal për koordinim me fshatra, ka thënë se gjitha lokalitet duhet të kenë parasysh fakin se institucionet komunale me aq mundësi që kishin, ju kanë dal në ndihmë, dhe kjo mbështetje e komunës do të vazhdoi edhe në të ardhmen.

Ndërsa, qytetarët e Gërmovës, pos që i dhanë përkrahje hartimit të strategjisë për zhvillim të fshatit të tyre, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e komunës që investimet kapitale ti orientojnë në lokalitet që kanë shkallë më të lartë të inkasimit të tatimit në pronë.

Takimi me banorët e Gërmovës, është organizuar nga OJQ “Elita” e cila në bashkëpunim me institucionet komunale të Vitisë, është duke zbatuar projektin “Qytetarët faktorë vendimmarrës”, i cili realizohet në kuadër të projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO -K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /2L ONLINE/