Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), një ish i burgosur politik ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar këtë forcë.
Ish i burgosuri politik Hysen Gega ka vendosur që një pjesë të parave që i takojnë atij për vitet e dënimit të kryera në burgjet e ish-Jugosllavisë t’ua dhurojë Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK). Në një bisedë për “Epokën e re”, ai ka bërë me dije se me një shumë prej 10 mijë eurosh dëshiron ta ndihmojë ndërtimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.
Gega, i cili ka mbajtur rreth 12 vjet burgim, ka thënë se lajmi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës e ka gëzuar tej mase dhe me vullnetin më të madh ka vendosur për këtë veprim. “Me dëshirën më të madhe kam vendosur që 10 mijë euro prej atyre mjeteve që më takojnë t’i jap për ushtrinë tonë, për Forcat e Armatosura të Kosovës. Megjithëse kjo forcë edhe më herët ka qenë ushtri, por disa thoshin se ka qenë organizatë civile, të gjithë e dinë se askund në botë nuk ka organizatë civile me uniforma e armatim. Tash e ka marr emrin e plotë dhe kam dëshirë që sadopak të kontribuoj në zhvillimin e kësaj force”, ka thënë Gega, i cili është nga fshati Sallagrazhdë i komunës së Therandës.
Gega ka treguar se gjatë vuajtjes së dënimit kurrë nuk ka besuar se do t’i kompensoheshin ditët e kaluar në burgje. “Kur kam qenë në burgje, njëherë nëntë vjet e katër muaj e një herë tre vjet, kurrë nuk kam menduar se do të na paguhet burgu. Ndoshta edhe nuk është dashur të na paguhet, por pasi Qeveria po dëshiron të na ndihmojë, kam vendosur që atë pjesë t’ia japë ushtrisë sonë, sepse shtet pa ushtri nuk ka”, ka thënë Gega. Ai ka bërë me dije se menjëherë do ta vizitojë Shoqatën e të ish të Burgosurve Politikë për t’i mësuar procedurat se si ta realizojë këtë dëshirë.