Në divizionin e tretë të futbollit gjerman, Leon Dajaku ka shënuar tre gola në 19 ndeshje derisa ka dhuruar edhe katër asistime. Në fundjavë ai debutoi në Bundesliga për pak minuta.
Gazeta më e madhe gjermane ‘BILD’ ka prezantuar dy yjet e së ardhmes te Bayern Munich.
Në Shtutgart, vazhdon të përmendet ende emri i Leon Dajakut.
Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Dajaku është talenti më i madh që ka pasur VfB Stuttgart në vitet e fundit që prej Joshua Kimmich, i cili u largua nga klubi në vitin 2013.
Dajaku erdhi në Bayern Munich për 1.5 milionë euro këtë verë, derisa ai ka bërë tashmë një debutim të shkurtër në Bundesliga.
Në dhjetorin e vitit 2018, 18-vjeçari debutoi Stuttgartin në Bundesliga.
“Unë mendoja se ka tifozë që donin të më shihnin gjithnjë me skuadrën e parë. Ata donin një të ri të egër”, ka thënë Dajaku për ‘BILD’.
Në Bayern, sulmuesi i krahut të djathtë u bë pjesë integrale e stërvitje që prej muajit nëntor, pasi trajneri Hansi Flick e fton atë vazhdimisht.