Gashi kundër koalicionit me PDK edhe me Isën kryeministërc
Anëtari i Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka publikuar në rrjetin social facebook, fjalimin e tij i cili do të mbajë, apo ka mbajtur deri më tani në mbledhjen e Këshillit. Sipas Gashit, LDK nuk duhet të bëjë me gisht, por të jenë të fokusuar në gjetjen e zgjidhjes.
Gashi, në këtë mbledhje ka dalë të jetë kundër koalicionit me PDK-në, edhe nëse nga ky koalicion Isa Mustafa bëhet kryeministër.
Më poshtë po e publikojmë të plotë fjalimin e Arben Gashit:
Pesë muaj pas zgjedhjeve, nga një ngërç i jashtëm, përfunduam në një ngërç të brendshëm. Jemi në një udhëkryq, dhe na duhet të vendosim për rrugën që duhet të marrim.
Arsyet janë të ndryshme, fajtorët janë të shumtë. Por, ne sot nuk kemi kohë, dhe besoj as leverdi, të flasim për fajtorë e për arsyetime. Nuk kemi kohë të kërkojmë përgjegjësi, por besoj që ato do të adresohen gjatë zgjedhjeve të brendshme në parti.
Ne jemi këtu si përfaqësues të anëtarëve të LDK-së, ky është forumi që përfaqëson LDK-në dhe ne duhet të jemi të fokusuar në gjetjen e zgjidhjes dhe jo të bëjmë me gisht.
Fillimisht, ne duhet të formulojmë mirë problemin me të cilin përballemi, t’i identifikojmë qartë opsionet dhe në fund, të përcaktohemi, me shumicën e votave të anëtarëve, për qëndrimin që LDK do të marrë.
Janë me sa kuptoj tre rrugë.
Rruga e parë, nëse synojmë postin e kryeministrit, ne mund ta humbasim aleancën tonë aktuale me AAK-në dhe rrjedhimisht, me NISMA dhe VV-në. Si pasojë, na duhet të kërkojmë një aleat të ri tek PDK, opsion për të cilin unë jam kundër.
Kjo, me supozimin se PDK do të ishte e gatshme të pranonte një kryeministër të LDK-së.
Pra, a jemi ne të gatshëm të shkojmë me PDK-në në koalicion, me kushtin që kryeministri të jetë nga LDK?
Si mund të funksionojë një koalicion i tillë, a do të kemi një qeverisje stabile, a do të mund ta çlirojmë shtetin nga kapja, nga krimi dhe nga agonia e këtyre viteve? Çfarë do t’i sillte shtetit, si dhe cilat janë rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata?
Rruga e dytë ka po ashtu dilemat e veta:
Në qoftë se heqim dorë nga posti i kryeministrit në koalicion aktual LVAN, sa përgjegjësi për të qeverisur do të ketë LDK?
A do të mundemi që përmes këtij koalicioni t’i realizojmë synimet tona programore, por edhe detyrimet që kemi si shtet ndaj partnerëve ndërkombëtarë, e kam fjalën në mënyrë të veçantë për dialogun me Serbinë?
Cilat janë pasojat afatgjata të një qeverisje të tillë?
Ne kemi nevojë si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm t’i dimë opsionet, të kemi informacion dhe të kemi para vetes një vizion se kah do të shkojë partia, e këtë duhet të na e ofrojë kryesia e partisë. Kjo do të na hapë rrugë që ne si anëtarë të Këshillit, në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime tjera, përpos ndërgjegjes sonë dhe zërit të anëtarësisë, të vendosim.
Pika kyçe vlerësoj unë, është që ne sot të dimë se cilat janë pikat themelore të programit tonë politik me të cilin kemi garuar në zgjedhje. Cilat pika mund t’i realizojmë, me cilin koalicion?
Kjo është çështja themelore, që besoj do të na e lehtësojë punën.
Ne jemi këtu jo për të përfaqësuar interesa personale, as biznesore, as klanore, por për të përfaqësuar anëtarin e LDK-së, votuesin tonë.
Ju lus, vendim-marrës të partisë, të na jepni gjithë informacionin që keni, e mos na flisni për “faktorë ndërkombëtarë”, “detyrime “ e “interesa” të panjohura e të pashpjeguara.
Është thënë se Gjykata Speciale është një gjë që duhet ta miratojë Parlamenti i Kosovës, dhe se prania e PDK-së në qeveri është e domosdoshme që kjo Gjykatë të votohet dhe të fillojë me punën. E domosdoshme sepse priten arrestime të figurave të larta të kësaj partie.
Kush janë këto figura? A duhet që shteti i Kosovës të mbetet peng i “figurave të larta që pritet të arrestohen” e nuk arrestohen kurrë, sepse rrezikohet stabiliteti dhe siguria e shtetit? Dhe si një haraç që duhet paguar për këtë stabilitet, duhet duruar qeverisja e PDK-së?
Kosova ka dhënë një shembull kur kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj ishte vetëdorëzuar në Hagë, pas akuzës së ngritur ndaj tij. Pra, a ka më keq se të të akuzohet vetë kryeministri?
Kush janë këto figura që po e rrezikuakan stabilitetin e shtetit? Dhe a duhet të jemi bashkë në një qeverisje me këto figura?
Shteti nuk duhet të jetë peng i ca figurave mistike, sepse kjo i bie që shteti është i dobët dhe madje i frikësuar prej kriminelëve. Sepse, këto figura, duhet të jenë kriminelë, përderisa shantazhojnë dhe mbajnë një shtet nën kërcënim.
Pra, cilido që të jetë koalicioni, duhet të sigurojmë që shteti të çlirohet nga kjo frikë.
Kjo është një pikë për të cilën mendoj se ne duhet të angazhohemi fuqimisht në koalicionin e radhës, cilido qoftë ai.
Rruga e tretë mbetet qëndrimi në opozitë.
Ky opsion nuk ka shumë për tu diskutuar. Nga programi jonë nuk do të zbatohet asgjë dhe sigurisht do të mbesim duke u ankuar për situatën në të cilën gjendet vendi dhe vazhdimin e kapjes së shtetit. Duke qenë në opozitë mbetet për tu analizuar se sa do te jemi në gjendje ta motivojmë votuesin tonë dhe a do të jemi në gjendje të rrisim përkrahjen. Mbetja në opozitë do të përbënte vështirësi veçanërisht për komunat të cilat i kemi fituar. Ato do ta kenë pothuajse të pamundur ta realizojnë programin politik për të cilin kanë votuar qytetarët.
Unë nuk bëjë pjesë tek ata njerëz që deklarohen dhe marrin veprime të nxitur nga emocionet e momentit dhe nën afekt, dhe do ta respektoj çdo vendim që merret nga ne të gjithë bashkë. Bindjet e mija i kam shprehur me kohë dhe po e përsëris prapë, që LDK duhet të ketë pozicion të respektuar e jo të nënshtruar përballë partnerëve të mundshëm politik.
LDK ka mbijetuar edhe në situata shumëfish më të vështira, ndonëse jam i bindur që situata në të cilën jemi sot do të lë gjurmë në LDK. Shpresoj që situata e krijuar të na shërbej të gjithëve si mësim, që në të ardhmen sfidat me të cilat do të përballemi ti mendojmë dhe gjykojmë më mirë paraprakisht dhe të veprojmë në kohë.
Jam i bindur që LDK nuk do të thyhet dhe do të ecë e bashkuar, për votuesit tonë, për atë çfarë LDK përfaqëson për ta.
