/2L ONLINE/ – Janë rikthyer komentet mbi raportin për monitorimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit , të cilën e kishte prezantuar javë më parë monitoruesi Isa Shefkiu, si aktivist i shoqërisë civile, në emër të OJQ-së FQD “Anamorava” , e i cili, ditë më parë, ka kaluar në politikë, duke u bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Raporti i tij po quhet tendencioz dhe politik ndërsa rekomandimet e këtij raporti si shembull në rastin e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, u tha nga drejtuesit e kësaj drejtorie, se nuk do të merren fare parasysh.
Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Nazim Gagica duke komentuar raportin në fjalë, tha se shfaq indinjatën e tij për një raport joprofesional. “Mendojmë se modelet jugosllav të hulumtimeve nuk janë në shërbim të rendit të ri botëror të ndodhur dhe të krijuar, dhe të hulumtosh një aktivitet të tërë të komunës, në të gjitha dikasteret, me resurse të kufizuara, qoftë në aspektin human, qoftë teknologjik, është absurd i llojit të vet, që nënkupton se nuk jepen të dhëna të saktë nga ai hulumtim”, ka thënë Gagica për Portalin 2LONLINE.
Sipas tij, nuk mjafton të dish me ndezë kompjuterin për të bërë hulumtim në një komunë dhe nuk mjafton një njeri i vetëm “Unë hedh poshtë të gjitha rekomandimet të dala nga ai raport tendencioz dhe politik”, thotë Gagica, për të shtuar se mbi këtë bazë do që të jap vetëm një shembull.
“Hulumtuesi nuk di me i dallua regjistrin online të procedurave administrative me aplikimet online dhe ato i ngatërron. Jep rekomandimet për regjistrin online të procedurave administrative që thotë se i shpejton procedurat me të cilat pajisjen qytetarët me certifikata, ndërsa ky regjistër absolut nuk ka të bëjë me certifikata, janë aplikimet online për këtë. Po ashtu ai flet për 12046 lëndë për vitin 2015, e ne kemi 128 mijë lëndë të aprovuar në administratë”, thotë Gagica, duke e quajtur përfundimisht të pa peshë një raport të tillë. /2L ONLINE/
lexo edhe: Raporti i Isës, komentohet zi e bardhë!